Përplasja Berisha-Basha / Rudina Hajdari: S’kishin pse përfshinin edhe Azemin

Rudina Hajdari thotë se Sali Berisha dhe Lulzim Basha nuk kishin pse përfshinin në përplasjen e tyre emrin e babait të saj, duke iu referuar këtu vendimit të Kuvendit të 11 dhjetorit që e shpalli Azem Hajdarin kryetar nderi të Partisë Demokratike.
“Babi im nuk ka pasur nevojë për tituj, ishte njeri i popullit, mënyra se si trajtohet tani, nuk i vlen figurës së Azem Hajdarit, është e qartë për demokratët, që ishte një figurë shumë e fortë, nuk i shërbejnë figurës së lartë të tij. Një mënyrë që nuk duhet të ishte futur në mes, Berisha mund të ketë arsye të veta, por nuk e mendoj të vlefshme, si vajza e tij, në çdo përvjetor apo 8 dhjetor ka pasur ngjarje të tilla ku janë festuar pranë bustit, por nga ana tjetër mendoj që ky është një moment i PD dhe ka plot figura brenda partisë që mund t’i shërbejnë”, tha Hajdari në një intervistë për Report TV.
Ish-deputetja ka vërejtje si për Bashën, ashtu edhe për Berishën. I pari, thotë ajo, ka humbur legjitimitetin, i dyti nuk e sjell dot PD në pushtet.
“Basha e ka humbur legjitimitetin, ose besueshmërinë brenda partisë se nuk ka investuar te anëtarësia. I kuptoj demokratët, por PD duhet të jetë përtej këtyre 2 personave apo interesave të tyre, është shumë e rëndësishme që të mendojmë që ajo që është aseti ynë kryesor është PD dhe nëse ne mendojmë që PD do vijë nesër në pushtet nuk mundet të mendojë që PD do e sjellë në pushtet Berisha është e pamundur, është i kaluarës, është koha të shohim të ardhmen”, u shpreh ajo.