Prokuroria e Tiranës nis hetimet për databazën e rrogave, ekspertët “zbarkojnë” te AKSHI, ISSH dhe Tatimet

Prokuroria e Tiranës nis hetimet për datazabën e rrogave, shkruan newsbomb.al. Organi i akuzës në kryeqytet bën me dije se po hetohet në lidhje me dy vepra penale, atë të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Ndërhyrje në sistemet kompjuterike”.
“Prokuroria e Rrethit Gjyqesor Tirane po kryen veprimet hetimore per veprat penale te Shperdorim Detyre sipas nenit 248 te Kodit Penal dhe Nderhyrje ne sistemet kompjuterike, parashikuar nga neni 293/c I Kodit Penal, ne lidhje me rastin e bere publik ditet e fundit per shperndarjen e te dhenave sensitive te qytetareve”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Kjo databazë përfshin të dhëna sensitive si numri personal i identifikimit, i njëjtë si ai në kartën ID, emrin dhe mbiemrin, niptin e kompanisë ku punon, pagën bruto që merr dhe pozicionin e punës. Këto të dhëna u përkasin 637 mijë qytetarëve.
Newsbomb.al mëson se një grup i posaçëm hetimor i ngritur nga Prokuroria e Tiranës ka zbarkuar pas skandalit në zyrat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), në zyrat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH) dhe te Drejtoria e Tatimeve.