Provokojnë Rusët: Çfarë të thuash për Shqipërinë, bekim nga Zoti që i kemi në grup

Shqipëria ka mësuar kundërshtarët për Ligën e Kombeve. Kuqezinjtë do të përballen kundër Rusisë, Israelit dhe Islandës. Menjëherë ka ardhur thumbimi i parë dhe ndezja e sfidës mes asaj që do të jetë përballje vërtet e nxehtë, Rusi-Shqipëri.
Ish kapiteni i Zenit, Vladislav Radimov, ka komentuar shkurtimisht shortin e Ligës së Kombeve. “Unë nuk di se çfarë të thuash për ekipe si Shqipëria dhe Israeli. Islanda është më mirë sesa Suedi. Jemi të bekuar nga Zoti, nuk ka fjalë tjetër”, shkruan Radimov.
Ndërkohë që nuk ka munguar as reagimi i presidentit të FSHF-së për shortin. Më poshtë gjeni prononcimin e presidentit të FSHF, Armand Duka, për “RTSH Sport”.
“Ekipet kanë një baraspesh dhe pak a shumë dihet se çfarë pret nga shorti. Mund të them se shorti ishte i mirë dhe mund të konkurrojmë me tre ekipet. Në të shkuarën kemi pasur disa rezultate të mira me këto ekipe, Rusinë e kemi mundur në Shkodër me shifrat 3-1. I kemi mundësitë për të dalë në të gjitha vendet e grupet.
Nuk e quaj të pamundur që të fitojmë ndaj Rusisë dhe po ashtu që të humbim ndaj të tjerëve. Objektivi i këtij grupi është që të dalim në vendin e dytë në këtë grup dhe po dalëm të parët është bonus. I thashë trajnerit Reja që ne kemi fituar ndaj të gjithë këtyre rivalëve, por kemi pasur trajner të mirë, të shohim sa i mirë je ti.
Fakti që u ngritëm në Ligën C, që morëm vendin e tretë dhe arritëm 18 pikë si kurrë më parë, tregon qartë rritjen tonë. Sa më larg të shkosh, aq më e vështirë është. Sigurisht që është më e vështirë të fitosh në Ligën B se në Ligën C. Jam i bindur se do i përballojmë mirë këto ndeshje dhe do të tentojmë vendin e parë. Nëse nuk arrin rezultate me ekipe të forta, atëherë nuk mund të rritesh”, tha Duka.