Rrëfehet Liri Berisha: Nënë Terezën e kam njohur kur isha 15 vjeçe! Mamaja më tha ‘nuk është grua, por zonjë’

Pas shumë viteve heshtje, Liri Berisha është shfaqur në publik në një moment të vështirë për familjen e saj, që tashmë është e shpallur non-grata.
Pasi doli në krah të të shoqit, në foltoren e tij me gratë demokrate, Lirija ka sjellë një libër që i dedikohet figurës të së madhes, Nënë Tereza.
Liri Berisha ka qenë sot e ftuar në Klan për të folur për këtë libër…
Liri Berisha: E kam njohur Nënë Terezën në moshën 15-vjeçare, në një kohë kur nuk dija se çfarë shkruanin gazetat e huaja për të, kur në Shqipëri nuk flitej asnjë fjalë, nuk e njihte askush. Në thellësinë time, më çonte emri i saj tek familja dhe origjina e saj, për të cilën kisha dëgjuar të flitej me shumë nderim për atë familje.
Pastaj në rrugën e Kavajës ka qenë një shtëpi ku banonte motra dhe nëna e Nënë Terezës. Ne shkonim shpesh atje, aty kam njohur nënën dhe motrën e saj dhe më bënte shumë përshtypje si në familjen tonë diskutohej për ato zonjat me një lloj nderimi dhe keqardhjeje.
Një ditë, kur e pyeta mamin, kush janë ato dy gra, ajo më tha që nuk janë gra, por zonja. Atë kohë ishte e ndaluar fjala zonjë, ishte shoqe e lejuar. Pastaj më tregoi historinë e familjes së saj, për Nënë Terezën dhe si i ishte përkushtuar një misioni në Indi.