Serbët “non grata” nga SHBA / Policia e Kosovës: Nuk është provë për t’i arrestuar

Policia e Kosovës thotë se vetëm shpallja “non grata” nga SHBA e Milan Radojçiç, Zvonko Veselinoviç dhe 11 personave të tjerë nga serbët e Kosovës nuk mjaftojn për t’i arrestuar ata.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti thotë se fakti se ata janë vendosur në këtë listë nuk nënkupton se ka bazë ligjore për të kryer aksion ndaj tyre.
“Nëse prokuroria kërkon nga ne, ne do të veprojmë. Nëse ne hasim në informacione që ndërlidhen me krim, ne prapë do të veprojmë, por vetëm pse ata janë në listë të zezë ne nuk e kemi atë mundësi të veprojmë për shkak se nuk kemi bazë ligjore. Por nëse prokuroria vlerëson që ato veprime paraqesin vepër penale ne absolutisht jemi në dispozicion që të veprojmë dhe do të veprojmë ndaj çdonjërit që ka nevojë”, deklaroi Mehmeti.
Departamenti i Thesarit i SHBA-së njoftoi në fillim të dhjetorit se ka vendosur në listën e sanksioneve, nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojçiç, biznesmenin nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviç, vëllain e tij, Zharkon dhe 10 persona të tjerë të lidhur me ta.
Sipas ligjeve amerikane, me futjen e tyre në listë të sanksioneve, pronat që ata mund të kenë fituar jashtëligjshëm zakonisht bllokohen dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet që të bashkëpunojnë në ndonjë mënyrë me ta.