Shqipëria vendi i çudirave, me president dhe kryetar opozite të shkarkuar

Shqipëria, vendi i shqiponjave dhe i çudirave, ku shqiponjat shihen gjithnjë e më rrallë dhe çuditë gjithnjë e më sheshit. Prej tre dekadash tashmë politika prodhon më shumë lajme nga sa është në gjendje që të konsumojë shoqëria.
E mban të ngarkuar atë me debate, diskutime e kacafytje që në dukje janë të rëndësishme, por në thelb pa vlerë. Përplasja e fundit tipike është loja me shkarkime që po ndodh brenda Partisë Demokratike. Prej 9 shtatorit, por sidomos prej 11 dhjetorit të gjithë sytë janë drejtuar nga Selia Blu.
A shkarkoi Berisha Bashën, apo Basha Berishën? Kjo është pyetja që në një vend demokratik do të kishte marrë përgjigje të menjëhershme dhe gjerat do të kishin rrjedhë në mënyrë të institucionalizuar. Por, jo te ne. Këtu kjo pyetje është një milionë dollarëshe. Berisha i thotë Bashës që është i shkarkuar dhe është pakicë brenda PD-së, Basha i thotë Berishës se ai është shumicë po brenda PD-së.
Vetë PD, sipas të dhënave të publikuara nga ajo në zgjedhjet e fundit për kryetar ka diku te 75 mijë anëtarë. Nëse i ndajmë në mënyrë të barabartë, pra gjysma për Berishën dhe gjysma për Bashën, mbeten diku te 37 mijë anëtarë secili prej tyre.
Jo të gjithë anëtarët e partisë janë përfshirë në këtë debat, por edhe nëse kjo do të ishte e vërtetë, shifra është rreth 1.3 përqind e popullsisë totale të vendit. Pra, mbi 98 për qind e shqiptarëve po merren sot me një debat të kushtëzuar nga 1.3 përqindëshi që mbetet.
Gjithsesi, pavarësisht pretendimit të të dyja palëve, pa u njohur nga gjykata ndryshimet e vendimet që u morën në Kuvendin e Sali Berishës, juridikisht Lulzim Basha është ende kryetari i Partisë Demokratike.
A është më kryetar ashtu siç ishte para Kuvendit?
Përsa kohë ka një lëvizje brenda vetë partisë që drejton dhe një pretendim që e konsideron të shkarkuar, jo. Pra, Basha edhe është, por edhe nuk është kryetar i PD-së. Është kryetar sepse ligji e njeh ende si të tillë dhe nuk është kryetar sepse ka një perceptim sikur Berisha ka ngritur një revoltë masive të anëtarësisë së partisë ndaj tij dhe një pretendim se është i shkarkuar.
Politikisht, posti i kreut të opozitës është i dyti më i rëndësishëm në vend pas atij të Kryeministrit. Por, taktikat me shkarkime e mosnjohje politika nuk i ka mbajtur vetëm brenda vetes. Më parë ajo i ka eksportuar me sukses brenda institucioneve shtetërore dhe përplasjet kanë qenë aq të shpeshta e të ashpra sa kanë dobësuar këto institucione.
Përplasja mes Presidentit Ilir Meta me mazhorancën për 30 qershorin 2019, për emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe reformën në drejtësi shkoi me kërcënime të ndërsjella. Mazhoranca zotohej ta shkarkonte Presidentin dhe Presidenti të shkarkonte mazhorancën përmes shpërndarjes së Parlamentit.
E para ndodhi në fund të legjislaturës së kaluar, kur Kuvendi miratoi raportin e komisionit hetimor të drejtuar nga Alket Hyseni dhe propozimin e tij për shkarkim të Presidentit. Dosja ka kaluar në Gjykatën Kushtetuese, e cila do të duhet të thotë fjalën e fundit, ku ose do të vulosë vendimin e Kuvendit, ose do ta rrëzojë atë dhe i gjithë procesi të quhet nul.
Nuk dihet ende nëse edhe çështja e kryetari të PD, do të ketë të njëjtin fat si presidentit Meta, pasi palë janë gati të shkojnë në një përplasje fizike. Pra e gjitha kjo të çon te ajo “Mirësevini në vendin e Shqiponja me president dhe kryetar opozite të shkarkuar”, ku politika krijon një lloj lëmshi vetëm për interesa personale./Gazeta Shqip