Shqiptari u vetëvar në furgonin e policisë greke, vëllai: E kanë vrarë gardianët, t’i bëhet autopsia në Shqipëri

Ka folur ditën e sotme për mediat vëllai i shqiptarit Adem Rusi, i cili ditën e djeshme është vetvrarë në furgonin e policisë në Greqi.
Vëllai Shkëlqim Rusi ka ngritur hije dyshimi se një ngjarje e tillë askush nuk e beson se është vetëvrasje. Teksa fajëson gardinaët që ishin duke e shoqëruar në furgon se kanë kryer krimin e rëndë.
“Unë kisha folur 3 orë para ngjarjes me vëllanë në mënyrë private, më pas më morën në telefon dhe më thanë se e kemi dërguar në spital për vizitë mjekësore rutinë, më ka thënë drejtori i burgut. Pastaj më thanë që kish pirë klorinë dhe pas kthimit nga spitali vari veten me lidhësen e këpucëve. Kjo për mua është e papranueshme, është vrasje. Vëllai kishte edhe 2-3 muaj burg që të mbaronte dënimin. Ai ka folur me të gjithë njerëzit dhe askush nuk e beson që është vetvrasje, atë e kanë vrarë gardianët ata që e kanë shoqëruar.”
Sipas Shkëlqim Rusit raportet e bëra në lidhje me këtë ngjarje të rëndë janë kontradiktore.
“Ngjarja ka ndodhur në makinën e policisë, sepse ata thanë që ishte vetëvarur në kangjellën e furgonit. Kjo është e papranueshme, nuk lejohet shoqërimi i të burgosurit me rrip apo lidhëse për më tepër je me pranga dhe i shoqëruar. Kjo është një përrallë, që thonë autoritetet greke”.
Nga ana tjetër familjarët e viktimës kërkojnë që këtij të fundit t’i bëhet autopsija në Shqipëri, për t’i dhënë kështu përgjigje të gjithë dyshimeve që ata kanë.
“Ne kërkojmë që të bëhet autopsia këtu në Shqipëri, pasi presim të vijë këto ditë. Të bëhet autopsia pasi shteti jonë vetëm fle gjumë, janë vrarë shumë shqiptarë atje, pas vëllait tim mund ta ketë radhën dikush tjetër dhe nuk është zbardhur asgjë. Kemi shkuar në prokurorinë tonë dhe më kanë thënë që nuk kemi akses për hetime. Askush se merr përsipër, nuk duan belara, nuk di çtë them. Ne duam të bëhet autopsia dhe të dalë e vërteta. Vëllai nuk ka pasur asnjë problem me shëndetin mendor.Të varesh në furgon të policisë i shoqëruar nga gardianët nuk e beson asnjë fëmijë. Kërkojmë të zbardhet e vërteta”./Gazeta Shqip