Të huajt tallen me drejtësinë shqiptare/ Lituanezi i pagoi shtetit 3000€ pasi rrahu gruan në Sarandë dhe u zhduk

Vazhdojnë skandalet e mosbindjes së shtetasve të huaj ndaj policisë shqiptare… Pasi një suedez është shpallur në kërkim sepse është dënuar me Arrest ne burg” në mungesë prej shtatorit, për një tjetër të quajtur Nikoljas Kuznecovs, 51 vjeç nga Lituania është lëshuar urdhër ndalimi nga Prokuroria e Sarandës.

Rezulton se për lituanezin u dha masa e sigurisë “Arrest ne burg” për dhunë në familje dhe u la i lirë nga shteti me detyrim paraqitje pasi pagoi një garanci prej 3000 eurosh. Ai është larguar nga Muriqani jashtë vendit pak muaj më parë për të mos u paraqitur më pavarësisht masës së lënë nga gjykata “ndalim dhe detyrim i qëndrimit në një vend te caktuar”.

Rezlton se lituanezi dhunoi bashkëjetuesen teksa ishin duke kaluar pushimet në një rulotë në qytetin e Sarandës.

DOSJA

Për të kaluar pushimet verore të vitit 2021, shtetasja gjermane Helena Barleben dhe shtetasi lituanez, të datëlindjeve respektivisht 30.07.1973 dhe 27.02.1970, të cilët janë në një lidhje intime dhe bashkëjetojnë me njëri – tjetrin, kanë përzgjedhur territorin e Republikës së Shqipërisë, përzgjedhur fshatin Ksamil, Njësia Administrative Ksamil, Bashkia e Sarandës. Pushimet e tyre këta shtetas i kalojnë duke u akomoduar në një mjet transporti të llojit “rulotë”, të cilin e kanë sjellë me vete, duke e tërhequr me anë të një automjeti.

Më datë 14.09.2021, rreth orëve të drekës, midis bashkëjetuesve ka lindur një debat, gjatë zhvillimit të të cilit, shtetasja gjermane H. Barleben ka derdhur shishen me raki që shtetasi lituanez po konsumonte në ato çaste. Kjo e ka ndezur edhe më shumë debatin midis tyre. Në këto rrethana, debati ka degjeneruar në akte dhune që shtetasi lituanez ka ushtruar ndaj bashkëjetueses së tij, shtetases gjermane Helena Barleben, çaste për të cilat, në kallëzimin e saj kjo e fundit thekson “bashkëjetuesi im nga ky veprim u inatos dhe filloi të më godiste, me pëllëmba dhe me grushte në fytyrë dhe në kokë.

Në vijim, shtetasi lituanez është larguar nga vendi ku kishin parkuar “rulotin” e tyre, duke u rikthyer rreth orës 20.00. Por, në rikthim, gjendja psikologjike e shtetasit lituanez ka qenë e rënduar, rrethanë kjo që ka ndikuar në “rindezjen” e konfliktit midis bashkëjetuesve, çaste për të cilat, në kallëzimin e saj, shtetasja gjermane H. Barleben thekson “bashkëjetuesi … u kthye në darkë rreth orës 20:00, kur erdhi bashkëjetuesi im ishte në gjendje më të keqe psiqike dhe aty përsëri kemi filluar sherrin me njëri tjetrin … sherri vazhdonte me fjalë duke u sharë dhe ofenduar”.

I shqetësuar për atë ç’ka po dëgjonte, një nga punonjësit e kampingut në të cilin gjendej edhe “ruloti” i bashkëjetuesve, ka vënë në dijeni Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Sarandë, ku punonjës të policisë kanë mbërritur në vend duke shuar kështu edhe konfliktimin e mëtejshëm të bashkëjetuesve, të cilët janë shoqëruar për në ambientet e Komisariatit të Policisë Sarandë, ku shtetasja gjermane Helena Barleben është kontaktuar nga Oficeri i Policisë Gjyqësore pranë këtij komisariati, para të cilit ajo ka parashtruar kallëzim penal”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT