Tragjedia në malin e Munellës/ Gjendet i pajetë alpinisti i zhdukur në grupin e gazetarit Alfred Lela

Ka rezultuar tragjik udhëtimi i 5 alpinistëve pasditen e djeshme në zonën e Pukës. Në grupin, në mesin e të cilëve ishte dhe gazetari i Top News, Alfred Lela, ndërroi jetë një prej tyre ndërkohë që një tjetër është në gjendje të rëndë.

Alpinisti që ndërroi jetë është Ndoc Mula, ndërkohë që personat e tjerë janë lënduar. Mbi 60 forca ushtarake shkuan menjëherë në vendngjarje për të shpëtuar alpinistët, dhe pas orësh kërkimesh u gjet dhe trupi i pajetë i Ndoc Mulës.

Gazetari Alfred Lela, bashkë me  Ilir Shytin, Ndoc Mulën, Dorian Malajn dhe Gisel Dollanin ishin duke eksploruar në Malin e Munellës në Pukë, kur aksidentalisht si pasojë e një stuhie, siç thotë vetë gazetari Lela, ata janë rrëzuar në humnerë duke humbur kontaktin me njëri tjetrin.

Pas ngjarjes, është njoftuar policia e cila dërgoi në terren disa forca nga komisariati i Pukës, 23 forca të repartit ushtarak të Vaut të Dejës dhe forcat e Ministrisë së Mbrojtjes. Në total kanë qenë rreth 60 persona të cilët janë angazhuar në kërkim të grupit të alpinistëve.

Gjatë kërkimeve, pas pak orësh u gjet Ilir Shyti, i cili kishte pësuar dëmtime të shumta dhe është dërguar me urgjencë në Tiranë. Personat e tjerë pësuan dëmtime më të lehta.

Ndërkohë, Ndoc Mula është gjetur pas më shumë se 10 orësh kërkime, për shkak se terreni dhe moti ishin të pafavorshëm për kërkimet.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT