VIDEO/ Presidenti i FIA-s mesazh Edi Ramës: Mbështesim projektin për Automotoparkun e parë në Elbasan

Jean Todt, ikonë e Motosportit botëror dhe Presidenti i FIA-s, i ka dërguar një mesazh kryeministrit Edi Rama dhe e përgëzon për iniciativën e qeverisë për ndërtimin e Automotoparkut të parë në Elbasan.
“Zonja dhe zotërinj fale mikut tim Niko Leka, kam ndjekur me interes dhe kënaqësi përpjekjet e ndërmarra nga qeveria shqiptare për forcimin e rregullave të sigurisë rrugore. Dy vjet më parë pata mundësinë të diskutoja me kryeministrin Edi Rama lidhur me sfidat dhe rëndësinë e zbatimit të kësaj politike.
Sot dua të përgëzoj këtë angazhim politik për një kontroll më të mirë të shpejtësisë në qendrën e qytetit dhe pranë shkollave duke iu kushtuar vëmendje të madhe përdoruesve të rrugës, veçanërisht, këmbësorëve dhe çiklistëve, duke iu siguruar korsi të sigurta dhe të dedikuara. Më shumë parandalim po ashtu edhe një vullnet i fortë për të ndëshkuar sjelljet e rrezikshme dhe mosrespektimin e rregullave.
Di që Shqipëria ka një projekt për krijimin e një qendre kushtuar sporteve automobilistike por edhe edukimit dhe formimit. Sigurisht FIA e mbështet këtë iniciativë që është në përputhje me përparësitë e saj, për zhvillimin e sportit dhe edukimin e të rinjve, veçanërisht sa i takon sigurisë rrugore”, thotë Todt në video-mesazhin që i ka dërguar Ramës.
Automotoparku ultramoderin i Elbasanit do të projektohet në bashkëpunim me Federatën Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA). Kreu i DPSHTRR Blendi Gonxhja tha disa muaj më parë se ndërtimi i këtij automotoparku do të mundësojë zhvillimin e garave ndërkombëtare si ato të Formula 1 në vendin tonë.