Yuri Kim asnjë reagim për Kuvendin e djeshëm, poston intervistën: SHBA është me ju!

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka bërë reagimin e saj të parë, një ditë pasi ish-kryeministri Sali Berisha, i shpallur “non grata” nga Amerika, shkarkoi kryedemokratin Lulzim Basha.

Sot, ambasadorja Kim ka risjellë një intervistë të ambasadorit amerikan, William Edwin Ryerson, i cili shërbeu në Shqipëri nga viti 1991-1994, fill pas rënies së diktaturës komuniste.

Duke ndarë mesazhin e tij, ambasadorja ka kujtuar 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve, por në asnjë moment nuk e komenton direkt ngjarjen e djeshme.

“Teksa arrijmë në fund të vitit 2021, i cili shënon 30 vjet të rinovimit të marrëdhënieve mes SHBA dhe Shqipërisë, doja të ndaja këtë mesazh nga Amb. Ryerson: “Një nga momentet më të rëndësishme erdhi gjatë vizitës së Baker. Ndërsa Sekretari fliste… Unë po qëndroja pranë automjeteve të autokolonës, pranë një polici shtatlartë e të ashpër. Ndërsa Baker tha: “Ne jemi me ju, dhe ju jeni me ne”, unë pashë një lot që rrotullohej në faqen e atij polici.” Ai “moment tregues” i kujtuar nga Amb. Ryerson është po aq i fuqishëm, i rëndësishëm dhe i vërtetë sot sa ishte 30 vjet më parë. Të mos harrojmë kurrë. SHBA dhe Shqipëria të mbajnë gjithmonë afër njëri-tjetrin”, shkruan ambasadorja Kim.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT