119 kg kokainë nga Ekuadori në Tiranë, foto të skanerit, si e nxori kontejnerin të pastër. Në hetime edhe zyrtarë të SPAK

Të tjera detaje janë mësuar nga ngjarja të cilat lindin shumë dyshime për veprimet dhe mosveprimet e punëtorëve dhe drejtuesve të firmës. Shoferi nuk njoftoi policinë por përfaqësuesit e firmës, të cilët në vend të merrnin policinë e futën kamionin në magazinë.

Më pas Trifon Murataj, pronari i Zico Sha, 1 ditë me vonesë ka njoftuar Gledis Nanon në telefon dhe policia ka shkuar në magazinat e firmës më dt. 30 dhjetor 2021. Për të gjitha këto arsye pjesë e këtyre hetimeve do të jetë edhe Prokuroria e Posacme për të kuptuar përfshirjen e zyrtarëve publikë nisur nga skaneri në Durrës.

Dje gjykata la në burg 3 të arrestuarit nga operacioni që zbuloi 119 kilogramë kokainë në një magazinë në Vaqarr të Tiranës fshehur mes arkave me banane ardhur me kontejner nga Ekuadori. Në burg janë Marson Murataj, Gëzim Kalaja dhe Hasan Salihu. Kontejneri me banane u nis nga Ekuadori dhe kaloi tranzit në Itali për të ardhur në Durrës.

Në orën 18:16 minuta shoferi Hasan Salihu ka shkuar për të marrë konteinerin me banane në Portin e Durrësit dhe është nisur nga rruga e Romanatit, siç i bien gjithmonë. Konteineri është skanuar në Port dhe ka rezultuar krejtësisht i pastër. Referuar dëshmisë së tij para hetuesve, teksa po lëvizte me kamionin katër persona i prenë rrugën në Romanat. Njëri prej tyre i hyri në kabinë dhe iu prezantua si shteti, ndërsa e kërcënoi: “Jemi shteti, mbyll gojën se përndryshe të shuajmë familjen”.

Tre të tjerët kanë mundur të hyjnë brenda konteinerit dhe kanë bërë rrëmujë gjithçka dhe më pas janë larguar. Ata nuk kanë mundur të gjejnë sasinë e lëndës narkotike. Pas largimit, shoferi Hasan Salihu ka vazhduar rrugën dhe nuk ka njoftuar policinë. Disa çaste më vonë ka konstatuar njërën prej gomave të kamionit të rënë. Në atë moment ka telefonuar shoferin tjetër Gëzim Kalaja dhe kanë ndërruar gomën. Edhe këtij të fundit nuk i ka treguar asgjë.

Nderkohe jane publikuar pamjet e skanimit që i është bërë kamionit në Portin e Durrësit tek i cili ishin 119 kilogramë kokainë. Është mister fakti se si është e mundur që skaneri s’ka kuptuar asgjë edhe pse brenda në kamion ishin 100 pako kokainë.

Një ditë pas ngjarjes policia njoftoi se konteineri me banane u nis nga Ekuadori dhe kaloi tranzit në Itali për të ardhur në Durrës. Autoritetet ligjzbatuese italiane kanë konstatuar mungesën e plumçes (vulës), për këtë arsye kanë ushtruar kontroll dhe kanë konstatuar mungesë të disa arkave me banane. Pas këtij konstatimi kanë mbyllur dhe riplumbosur kontenierin, duke e shoqëruar me procesverbalin përkatës.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT