Bie qeveria në Mal të Zi / Dy skenarët, qeveri pakice, ose zgjedhje të parakohshme në maj

Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç bëri zyrtare iniciativën e tij për largimin e zv.kryeministrit Dritan Abazovic nga qeveria.
“Moskorrektësia e tij që cenon qeverinë në të cilën ai është anëtar, cenimi i parimeve ligjore dhe parimeve kushtetuese mbi të cilat bazohet funksionimi i qeverisë, janë arsye të pafalshme pse i propozoj Kuvendit shkarkimin” – shkroi kryeministri malazez në Twitter duke bërë të ditur se iniciativën e ka dorëzuar në Kuvend.
Ai ka propozuar ministrin e Financave dhe Mirëqenies Sociale Milojko Spajiq për si zëvendëskryeministër të ri të Malit të Zi.
Shkak për këtë përplasje në qeverinë malazeze u bënë qëndrimet e Abazovic që qeveria të votëbesohej në Kuvend për rrugën që po ndiqte. Kjo nuk u pëlqye nga kryeministri që e largoi numrin 2 të qeverisë nga kabineti i tij.
Ndërkombëtarët po përpiqen që të shmangin zgjedhjet e parakohshme në Malin e Zi duke mbështetur idenë e një qeverie të pakicës, ku dy partitë kryesore malazeze, socialdemokratët e Presidentit Milo Gjukanoviç dhe Fronti Demokratik i Kryeministrit Zdravko Krivokapiç të lihen jashtë kabinetit qeveritar.
Mbështetja është dhënë nga Brukseli përmes raportuesit për Malin e Zi në Parlamentin Europian, Tonino Picula dhe nga SHBA përmes zv.ndihmëssekretarit të Shtetit, Gabriel Escobar.
“Në situatën aktuale, një qeveri e pakicës do të ishte një zgjidhje e duhur për të dalë nga kriza politike. Ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë, apo nëse qeveria e pakicës do të votohet në Parlament. Por, ne marrim të mirëqënë sikur bisedimet janë kryer dhe do të ketë një qeveri pakice”, thuhet në deklaratën e eurodeputetit Picula.
Një qeveria e pakicës, e drejtuar nga URA e shqiptarit Dritan Abazoviç do të garantonte kursin proeuropian dhe pro NATO-s të Podgoricës. Kjo është ajo që mbështet edhe SHBA.
“Ne do të mbështesim çdo qeveri të dalë nga një proces demokratik që garanton rrugën proeuropiane dhe orientimin pro NATO-s të Malit të Zi”, tha Escobar.
Por, partia proserbe në pushtet e Zdravko Krivokapiç e cilëson qeverinë e pakicës një “mashtrim”, që nuk zgjidh krizën e thellë politike në të cilën është përfshirë Mali i Zi. Sipas Kryeministrit malazez, që e ka humbur shumicën në parlamentin vendas zgjidhje e krizës mund të arrihet me dy rrugë dhe qeveria e pakicës nuk bën pjesë te to.
“Kriza mund të zgjidhet ose duke riformatuar Qeverinë aktuale, ose duke thirrur zgjedhje të parakohshme që mund të mbahen në muajin maj”, deklaroi Krivokapiç.