Burrë apo grua? Rama hap garën për presidentin e ri: Nuk e di me kë të flas nga PD, emri mund të vijë…

Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së ka folur për herë të parë edhe për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës. Për herë të parë ai ka hedhur idenë për zgjedhjen e një presidenti jo vetëm si produkt i partive politike, por edhe me ndonjë konsultim me popullin. Ai gjithashtu deklaroi se tashmë janë krijuar dy PD dhe nuk e di se më këtë negociojë për zgjedhjen konsensuale të presidentit të ri.

“Na duhet të zgjedhim presidentin e Republikës, e do ta zgjedhë ky grup parlamentar. Komplikimi i skajshëm i situatës me krijimin e dy partive na e bën të vështirë të gjejmë adresën se ku të kërkojmë dialogun me opozitën parlamentare. Por në duhet të mendojmë për mënyrën se si mund të këshillohemi me qytetarët edhe për këtë vendimmarrje. Në një mënyrë apo një tjetër ne duhet të gjejmë një figurë konsensuale për presidentin ose presidenten. Ne kemi përgjegjësinë e madhe qytetare politike e kushtetuese që ti japim popullit shqiptar një njeri normal në radhë të parë, një kryetar ose kryetare shteti që ti kthejë normalitetin njerëzor,moral e institucional të presidentit të Republikës”, u shpreh Rama.

Por si duhet të jetë presidenti? Kryesocialisti Edi Rama u shpreh se mund të jetë grua ose një burrë, duke mos përjashtuar edhe kandidatura që vijnë nga jashtë Shqipërisë.

“Nuk duhet të bjerë nga qielli, me siguri do të gjendet mes nesh, në territorin shqiptar apo në territorin shpirtëror të republikës së Shqipërisë, por të kemi mundësi që në pesë vitet e ardhshme të ketë një njeri e qytetar normal, një figurë profesionalisht normale. Të mendojnë në këtë sens, secili do që ka këtë ide, të ndajë propozimet me drejtuesit e grupit, edhe në do të organizojmë një bashkëbisedim, edhe si mund të organizojmë një proces me opinionin publik në lidhje me këtë vendimmarrje”, deklaroi Rama. Presidenti i ri, duhet të zgjidhet nga Parlamenti në muajin prill.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT