Çfarë do të ndodhë në 8 janar? Deromenaj: Basha të ndalë çmendurinë e tij, askush nuk më ndalon të shkoj te PD

Kryetari i PD-së së Vlorës, Genc Deromenaj i ftuar në studion e “Zona Zero” ka komentuar vendimin më të fundit të kryedemokratit Lulzim Basha për të blinduar selinë blu në prag të protestës së shpallur nga Berisha mbështetësit e tij më 8 janar.
Deromenaj, dikur i rreshtuar në krah të Bashës, por tashmë në pro foltores së Berishës, i bëri thirrje Bashës që të mos veprojë në këtë mënyrë, duke e ndaluar në atë që e cilësoi si “çmendurinë” e tij.
” Nuk mund të ndalet procesi nga anëtarësia. Komisioni ka depozituar në Gjykatë vendimet e statutin e ri. Gjykata thjesht e pranon dhe e ligjëron duke e pranuar. PD nuk është çështje thjesht ligjore, është frymë, më shumë. Jam i prirur ta shoh në kuptimin e mirë, si një fraksion, ai i Bashës, e pse jo të jetë zë i fortë i fraksionit të vet. Besoj se Basha nuk do ta ndjekë çmendurinë që e ka nisur deri në atë nivele. Ndikon te baza, nuk besoj se zoti Basha, në 16 vite që është kthyer nga emigrimi ka votuar kundër PD-së, edhe besoj se do të votojë pro. Më duket e tepër të replikosh me qëndrimet apo deklaratat e z. Basha, nuk besoj se të njëjtët njerëz që ai i ka thirrur të qëndrojë në krah të tij, tashmë ata janë banditë. Unë për vete nuk e njoh veten as për banditë apo për ndonjë gjë tjetër. Është maksimizuar kjo lëvizje, ju siguroj se pas rikthimit të opozitës së vërtetë reale, qeveria Rama nuk do ta ketë të gjatë dhe të thjeshtë, për të mos thënë se do t’i shkurtohet jeta politike. Të rikthejmë shtëpinë tonë demokratë, të drejtën për shkuar në shtëpinë time që quhet PD, e kam zgjedhur me lirinë time e nuk më ndalon askush të shkoj në ambientet e shtëpisë time, e të drejtohem nga mekanizma dhe shumica e mandatuar sipas të gjithë rregullave, sipas statutit të PD-së”, tha Deromenaj.