Deklarata skandaloze/ Kokalari akuzon Grupin e Kumanovës për përplasjet në PD: Janë kriminelë, i pagoi kunati i Lul Bashës

Aktivistja Evi Kokalari ka bërë një deklaratë skandaloze mbrëmjen e djeshme në një media në Kosovë. Ajo është shprehur se personat që qëndruan brenda selisë së PD më datë 8 janar dhe nuk lejuan mbështetësit e Berishës, janë kriminelë, pjesë e Grupit të Kumanovës.

Në Kanalin 10, Kokalari tha se këta “kriminelë të njohur” janë financuar nga kunati i Lulzim Bashës.

Kokalari: Unë në datën 19 dhjetor erdha në SHBA dhe ishte shumë afër data 8 janar, por se kisha menduar kurrë se do të shikonim këtë lloj dhune. Mendova se Lul Basha thjesht do dilte…personat që ishin brenda dhe gjuanin ca janë kriminelë të njohur, ca janë pjesë e një grupi në Kumanovë që janë thirrur dhe paguhen nga kunati…

Pyetje: Nga cili grup, nga cili kunat?

Kokalari: Kunati I Lul Bashës është ai që paguan. Grupi I Kumanovës nuk e di por nëse do të pyesni dikë nga Komisioni I Rithemelimit do të japin më shumë detaje.  Nëse e keni parasysh ka qenë një grup I Kumanovës që janë nga Kosova, janë në burg në Shkup sepse kishte përplasje të armatosur ndërmjet këtij grupi dhe policisë maqedonase dhe u vranë 10 anëtarë të tij…

Nuk e di. Më thanë se janë kriminelë, mund të jetë I njëjti. Është fakt që ishin nga Grupi I Kumanovës dhe ishin prezent edhe në 13 dhjetor kanë qenë të armatosur brenda e dinim që atëherë dhe nuk është mirë.

Kush është Grupi i Kumanovës

E gjithë ngjarja kishte ndodhur në vitin 2015 në datat 9 dhe 10 maj në Maqedoni, ku si rezultat i përplasjeve të armatosura në Kumanovë më konkretisht në “Kodrën e Trimave” kishin mbetur të vrarë 8 pjesëtarë të forcave policore maqedonase dhe dhjetë pjesëtarë të grupit të armatosur.

Të shtënat kishin nisur në orët e hershme të mëngjesi të 9 majit 2015, derisa lagjia “Kodra e Trimave” ishte shndërruar në një zonë luftimesh të ashpra me banorët që ishin tronditur pa e ditur se çfarë po ndodhte dhe kush me kënd po luftonte. Pas përfundimit të luftimeve, lagjia ngjasonte me një gërmadhë. Luftimet kishin zgjatur dy ditë.

Shumica e pjesëtarëve të këtij grupi ishin nga Kosova e që gjatë kohës së luftës në Kosovës disa kishin qenë edhe pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Siç kishin deklaruar nga ky grup, vendosja e tyre në Kumanovë ishte bërë për shkak të shkeljes së të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.

Të vdekur nga luftimet në Kumanovë kishin mbetur Xhafer Zymberi, Mirsad Ndrecaj, Valon Kabashi, Turgaj Rexhaj, Samid Rashiti, Fatlum Vishella dhe Arben Rexhaj nga Kosova dhe Nysret Kolshi nga Shkupi.

Mirsad Ndrecaj dhe Begë Rizaj ka dyshime se mund të jenë vrarë pasi ishin arrestuar nga policia maqedonase në përfundim të aksionit të 9 dhe 10 majit në Lagjen e Trimave në Kumanovë. Trupat e disa tyre janë varrosur në fund të majit 2015 në Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë, kurse trupi i Begë Rizajt është varrosur në Kompleksin Memorial në Gllogjan të Deçanit.

Ndaj personave të cilët ishin dorëzuar dhe më pas edhe arrestuar nga shteti maqedonas, Gjykata Themelore e Shkupit ka shqiptuar gjithsejtë 746 vjet burg, duke i akuzuar për terrorizëm për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015. Për veprën terrorizëm ishin akuzuar gjithsej 37 persona, prej të cilëve 7 me burg të përjetshëm.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT