“Do qeshin ndërkombëtarët”/ Berisha për raportin e Bashës: Edhe unë jam në kontakte me ta

Sali Berisha deklaroi se raporti i që Lulzim Basha thotë se u ka dërguar ndërkombëtarëve për përjashtimin e tij, do t’i bëjë për të qeshur këta të fundit.
“Do t’i bëjë me qesh Basha kur të lajmërojë përjashtimin tim dhe protestën. Do t’i bëjë me qesh ndërkombëtarët”, tha ai.
Ish-kryeministri u shpreh se edhe grupi i tij është në kontakte me ndërkombëtarët.
“Pa diskutim edhe ne kemi informuar dhe do të informojmë. Shumë prej tyre lëshuan vlerësime objektive u bënë thirrje palëve të vetëpërmbahen dhe kjo ishte deklarata e BE, e ambasadorit italian e gjerman… etj Kur të shohin të gjithë këtë batërdi që u bë atë ditë, sepse do bëj dhe unë raportim. Do i lajmërojmë zyrtarisht, ne jemi një institucion, Komisioni i Rithemelimit komunikon me përfaqësues të vendeve mike dhe partive simotra”, tha Berisha në një intervistë për ABC.
Më tej, ish-kreu i PD-së u shpreh se ai nuk kërkon mbështetjen e ndërkombëtarëve, por vetëm informimin e tyre mbi zhvillimet e brendshme në parti.
“Komunikimi ynë s’ka qëllim mbështetjen por informimin, sepse një protestë pavarësisht se këtu ndodhin çudira mbështetja që i jepet Bashës është goditje e hapur ndaj pluralizmit politik në Shqipëri dhe unë e them këtu s’është vetëm ndaj pluralizmit por ndaj të gjithë gjeneratës së re të politikanëve shqiptarë”, deklaroi ai.