“Drejtësia ka qenë e varur nga PD”, xhaxhai i Aleks Nikajt: Nuk është detyra e Edi Ramës që të hetojë ngjarjen, ai nuk është Prokuror

Kryeministri Edi Rama së bashku me familjarët e viktimave të 21 Janarit kanë vendosur ditën e sotme lule në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, në nder të Ziver Veizit, Hekuran Dedës, Faik Myrtajt dhe Aleks Nikës.
Në një prononcim për mediat xhaxhai i Aleks Nikajt, një prej viktimave të kësaj tragjedie ka shprehur hapur pakqënaqësitë kundrejt drejtësisë.
Sipas tij ecuria e çështjes është penguar nga Partia Demokratike, teksa i bindur ka shtuar se kjo çështje do të kalojë te SPAK.
“11 vjet ne sot dhe nuk ka funksionuar drejtësia. Drejtësia ka qenë e varur nga PD ata i kanë sabotuar hetimet. Çështja kemi bindje që do kalojë te SPAK. Deri tani është dobët hetimi, nuk ka informacione, madje Prokuroria e Tiranë e ka fshehur dosjen nuk jep informacione. Me kryeministrin nuk bisedojmë për hetimin, ai nuk është prokuror as hetues dhe as gjyqtar”, tha Mark Nika.
Ndërsa, vajza e Ziver Veizit u shpreh se nuk ka humbur shpresën dhe përgjegjësit për vrasjen e të atit do të përballen me ligjin.
“Unë besoj ende!”, tha Ana Veizi.