Dy ditë nga ultimatumi i Berishës, a do e lirojë Basha zyrën në 5 janar?! “Fortesa blu” e demokratëve dhe thirrja për përmbarues politik

5 janari është ultimatumi i fundit që demokratët e udhëhequr nga Sali Berisha i kanë lënë si datë Lulzim Bashës, për të liruar zyrën në selinë blu. Këto ditë situata ka qenë e qetë dhe pa deklarata nga të dyja kampet, për shkak se ka qenë ndërrimi i viteve. Por a do të jetë e tillë gjendja dhe ne 5 janar?!
Përmes një deklarate publike nga selia blu i ashtuquajturi Grupi i Rithemelimit të PD, i komunikoi Lulzim Bashës vendimin e më shumë 43 mijë demokratëve që e shkarkuan atë me votë dhe kërkoi prej tij që në datë 5 janar të lironte zyrën dhe të merrte “plaçkat”, shkruan newsbomb.al.
Në të kundërt përgjigja do ishte e qartë: ata 43 mijë demokratë që votuan shkarkimin e tij do të ktheheshin në përmbarues politik. Pra, selia blu do të merrte me forcë si “fortesa” e fundit e demokratëve të udhëhequr nga Sali Berisha.
“Referendumi u mbajt në 18 Dhjetor 2021 dhe rezultati i tij përfundimtar sanksionon se 43385 demokratë vendosën për shkarkimin tuaj (Lulzim Bashës) nga detyra e kryetarit të partisë. Komisioni i Rithemelimit të partisë ju fton të njiheni me vullnetin e referendumit.
Kërkohet nga ana juaj të merrni masat për ta jetësuar vullnetin e demokratëve duke liruar ambientet e punës së kryetarit të partisë dhe kryer dorëzimet përkatëse deri në 5 Janar 2022. Refuzimi i vullnetit të demokratëve do të detyrojë anëtarësinë të shndërrohet në përmbaruesin politik të vullnetit të saj”, thuhej në deklaratën e Grupit të Rithemelimit.
Nga ana tjetër, Lulzim Basha është i prerë. PD-ja është e demokratëve dhe e të gjithë shqiptarëve, dhe nuk mund të përdoret për interesat personale të Sali Berishës, shkruan newsbomb.al. “Nuk ndodh asgjë”, iu tha kryetari aktual i PD gazetarëve kur u pyet më 30 dhjetor për ultimatumin e Grupit të Rithemelimit me në krye Berishën.
Basha tha se ai dhe grupi i Partisë Demokratike janë të përgatitur për çdo situatë, duke paralajmëruar dhe një përballje me liderin historik të partisë. Por sesi do të jetë kjo përballje dhe deri në çfarë niveli është përgatitja që thotë Lulzim Basha, këtë askush nuk e di dhe kjo mbetet të shihet pas dy ditësh.
“PD i ka marrë vendimet e veta. Kuvendi i 18 dhjetorit është jo vetëm ndarje me të shkuara, por edhe përqafimi me të ardhmen. Nuk na plas për karriget e atyre që paskan qenë këtu vetëm për karrige. Ndjesë shqiptarëve që filtrat tona kanë dështuar.
“Ata që merak të vetëm paskan karrigen dhe që dje i lidhte vetëm karrigia dhe papritur na bëjnë si filozofë. Janë hajdutë që kanë rrjepur PD-në, e kanë vendin në burg, bashkë me kolegët e tyre socialistë. Komisioni i Rithemelimit të qofteve apo bilardove? Çfarë Kuvendi? Nuk ka delagatë”, u shpreh Lulzim Basha ditë më parë, shkruan newsbomb.al.
Në të njëjtën mënyrë, kryetari aktual i PD tha se do të përballojnë edhe datën 8 janar, kur ish-kryeministri Berisha ka paralajmëruar një protestë. Të shpallurit “non-grata” sipas Bashës, do të shtohen por nuk do të arrijnë dot të damkosin Partinë Demokratike.
Edhe ne nuk mund të themi asgjë me siguri, por mbetet vetëm të presim se çfarë do të ndodhë pas 2 ditësh në Tiranë.
Ndërkohë, kryeministri Rama në konferencën e tij të fundvitit u shpreh se nuk do të merret as me Lulzim Bashën dhe as me Sali Berishën. “Unë s’kam asnjë punë as me njërin as me tjetrin. Janë dy burra në një hall të madh. Askush nuk e zgjidh dot. Hallin e tyre e kanë kthyer në hall të partisë dhe duan ta kthejnë në hall të Shqipërisë”, tha Rama ndër të tjera.