E ka nën varësinë e tij, Rama i jep zyra te Pallati i Kongreseve Agjencisë për Media dhe Informim

Kryeministri Edi Rama ka vendosur që Agjencia për Media dhe Informim t’i ketë zyrat në mjediset e Pallatit të Kongreseve.
Kjo agjenci, e cila është në varësinë e Ramës, “ka si qëllim të sigurojë transparencën në lidhje me politikat, aktivitetet, projektet, eventet, si dhe qëllimin, objektivat, risitë apo problematikat që zgjidhen nëpërmjet akteve të Këshillit të Ministrave dhe të akteve të tjera të ministrave dhe çdo institucioni të administratës shtetërore dhe organizon punën për të përgatitur qëndrimet dhe sondazhet e qeveritare mbi çështjet me interes publik”, thuhet në VKM.
Agjencia e krijuar pak muaj më parë, u pa edhe si një instrument për të shtuar kontrollin ndaj mediave, ndërsa pati edhe reagime të forta, pasi qytetarët shqiptarë do të duhet të paguajnë 3 institucione që i shërbejnë qeverisë, siç janë RTSH, ATSH dhe tashmë kjo Agjenci.
VENDIM PËR DHËNIEN ME QIRA, ME TARIFË TË REDUKTUAR, TË SALLËS SË KONFERENCAVE “A” DHE TË ZYRAVE ME NUMRAT 2, 3, 5, 6, 7, 12, 14, VERI, NË MJEDISET E PALLATIT TË KONGRESEVE, AGJENCISË PËR MEDIA DHE INFORMIM
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 8, të kreut III, të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës e të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë, apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien me qira, me tarifë të reduktuar, të sallës së konferencave “A” dhe të zyrave me numrat 2, 3, 5, 6, 7, 12, 14, veri, në mjediset e Pallatit të Kongreseve (në administrim të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare), Agjencisë për Media dhe Informim, për ushtrimin e veprimtarisë së saj.
2. Tarifa e qirasë së sallës së konferencave “A” dhe të zyrave me numrat 2, 3, 5, 6, 7, 12, 14, veri është në masën ekuivalente të shpenzimeve për furnizimin me energji elektrike dhe ujë gjatë gjithë periudhës së dhënies me qira.
3. Ngarkohen Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare dhe Agjencia për Media dhe Informim për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ