“Eja në Spanjë”, 15 mijë euro për të qenë katër muaj skllav brenda shtëpive të barit. Dëshmitë e të rinjve të papunë që joshen nga ‘tregu i ri’ i hashashit

Në prill Shkëlqimi – emri i tij është ndryshuar nga redaksia – po bënte gati valixhet në qytetin e tij të lindjes në Vlorë për të udhëtuar drejt rajonit të Katalonisë në Spanjë.

Miqtë e tij i kishin premtuar punësim në një ‘shtëpi bari’ dhe 15,000 euro për tu kujdesur për katër muaj për bimët e kanabisit – cikli i rritjes nga fidani në paketim.

39-vjeçarit, i cili është pronar i një dyqani të vogël, i tha BIRN se situata e vështirë ekonomike në Shqipëri gjatë pandemisë së COVID-19 e kishta shtyrë ta merrte zeriozisht ofertën.

“Gjatë 2020 dhe fillimit të 2021, pandemia ndikoi keq në biznesin tim. Të ardhurat ranë me 80 për qind dhe unë e gjeta veten në një situatë të keqe,” tha ai.

Shkëlqimi është një nga mijëra të rinjtë dhe mezoburrat shqiptarë, të cilët janë larguar ose po shqyrtojnë mundësinë të largohen drejt Spanjës, për të punuar në fermat e kanabisit.

Këta burra, të cilët vijnë kryesisht nga bashkitë e Vlorës, Selenicës, Fierit, Mallakastrës, Tepelenës dhe Sarandës, ku kultivimi i kanabisit ka qenë prezent prej dekadash, kanë gjetuar një hapsirë të re kultivimi në Spanjë.

Trendi është përshpejtuar edhe nga perceptimi se Spanja ka politika liberale ndaj kultivimit të kanabisit.

Punëtorët me eksperiencë në kultivimin e kanabisit janë më të kërkuarit. Megjithatë, vala po merr me vete dhe punëtorë pa eksperiencë, të papunë dhe pa të ardhme – njerëz që kërkojnë një jetë më të mirë.

Disa e konsiderojnë veten investitorë dhe marrin rolin e përgatitjes së infrastrukturës për kultivimin e kanabisit. Shumica janë kultivues dhe e kalojnë kohën brenda ‘shtëpive të barit’ ku kanabisi kultivohet.

“Është si seriali “Squid Game”. Ata që e drejtojnë këtë biznes gjejnë njerëz si puna ime, që janë në një situatë të vështirë ekonomike, me borxhe dhe halle,” tha Shkëlqimi.

Ai nuk e ka prerë biletën e tij për në Spanjë akoma. Planet e tij filluan të lëkundeshin kur i tha së ëmës dhe të vëllait për vendimin për tu zhvendosur në Spanjë. Ato u bënë shumë merak dhe kërkuan ta mendonte dy herë, duke i ofruar para si ndihmë për të kaluar situatën e vështirë financiare duke qendruar në Shqipëri.

Por ai akoma mban kontakte me miqtë e tij në Spanjë, përshirë një 27-vjeçar nga Tepelena, i cili tani po punon në një shtëpi bari në periferi të Barcelonës. Dy burrat shkëmbejnë mesazhe në rrjetet ‘Signal’ dhe ‘Facebook Messenger’.

“Ai do gjithmonë të shkëmbejë mesazhe sepse është i izoluar brenda një apartamenti të vogël gjatë gjithë ditës. Më dërgon foto të bimëve [të kanabisit] duke u rritur, por gjithashtu ‘meme’ dhe video për të qeshur,” tha Shkëlqimi.

Pandemia e re

Alketa Lamani, një manaxhere projektesh në Qendrën Rinore në Vlorë, e krahason eksodin e të rinjve nga Vlora drejt Spanjës me një pandemi të re që e ka prekur zonën.

“Të rinjtë nga zonat urbane dhe rurale janë tashmë në Spanjë, ose ëndërrojnë të shkojnë atje. Në rrugët dhe kafenetë e Vlorës shohim më pak të rinj se më parë. Një zinxhir emigrimi i paligjshëm është krijuar, i cili është i rrezikshëm,” tha ajo.

Policia spanjolle e ka vënë re trendin gjithashtu. Me 19 nëntor, ajo bastisi 42 adresa na Kataloni, duke zbuluar 51 ‘ferma kanabisi’ dhe arrestoi 107 të dyshuar. Shumica ishin shqiptarë.

Megjithatë, policët spanjollë nuk janë shqetësimi kryesor i kultivuesve shqiptarë.

Iliri, 27-vjeç – emri është ndryshuar – shpenzoi 5 muaj në Spanjë në vitin 2021. Tani punon si kamarier në një bar-kafe në periferi të Vlorës, edhe pse miqtë i kishin premtuar 3 mijë euro në muaj për të qendruar në Spanjë.

“Ata më thanë se edhe në qoftëse policët e bastisin apartamentin, si i proceduar për herë të parë si kultivues, autoritetet do më jepnin një dënim të lehtë. Premtimi ishte që bosët e kanabisit do na jepnin paratë kur të dilnim nga burgu, në qoftë se arrestoheshim,” – thotë ai.

Iliri arriti në Kataloni në mars për kultivuar kanabis në fushë, pasi miqtë e tij i kishin siguruar një vend në një zonë kodrinore afër Gironas. Aty gjeti 10 djem të rinj nga Tepelena, Vlora dhe Mallakastra, shumica me eksperiencë në kultivimin e kanabisit në Shqipëri.

“Në fillimin duhet të përgatisnim fidanët dhe terrenin për kultivim, duke hapur rrëke uji dhe duke bërë punë të tjera të rënda. Ishtë e vështirë, pasi flenim në tenda, në një terren të vështirë me baltë,” kujtoi ai.

Pas tre muajsh, ai i tha miqve që ishin investitorët në plantacion ta zhvendosnin, pasi nuk e përballonte dot punën jashtë, dhe ata i ofruan punë në një ‘shtëpi bari’ në Barcelonë. Por edhe kjo e fundit nuk ishte punë e lehtë.

“Në momentin që arrita atje, bimët donin dhe një muaj që të korreshin dhe era që lëshonin ishte e padurueshme,” tha ai.

“Ne nuk lejoheshin të dilnim jashtë më shumë se dy-tre orë në ditë. Unë isha dru non-stop dhe fillova të bëhesha me ankthe,” shtoi Iliri.

Ai theksoi se kishte armë në të dyja vendet ku kishte punuar. Jo për të sulmuar dikë, por për të mbrojtur kanabisin nga grupe shqiptarësh, ose kriminelë marokenë dhe algjerianë që vidhnin.

Ai u kthye në Vlorë me një ekspulsë 5-vjeçare nga zona ‘Schengen’ në pasaportë, pasi kishte qëndruar më gjatë se afati i lejuar. Iliri ndjehet i zhgënjyer nga e gjithë eksperienca.

Kulura mbetet

Për gati tre dekada, Shqipëria ishte një nga prodhuesit më të mëdhenj të kanabisit të paligjshëm që rritet jashtë. Disa gjenerata shqiptarësh tashmë kanë eksperiencë, jo vetëm në kultivimin e bimës, por edhe në trafikimin e saj në Europë dhe përtej.

Në vitin 2016, kur kultivimi i kanabisit arriti kulmin në Shqipëri, njerëz nga shtresa të ndryshme të shoqërisë u përfshinë në këtë aktivitet, duke e parë si një mundësi për të bërë ca para shtesë.

Megjithatë, pas vitit 2017 e në vazhdim, autoritetet dhe policia shqiptare e ashpërsuan luftën kundër kultivimit të drogës, duke e ulur ndjeshëm nivelin e prodhimit. Por kultura e kultivimit të kanabisit nuk është zhdukur.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT