GËZUAR VITIN E RI 2022, I DASHUR FËMIJË

I dashur vogëlush,

Ti nuk na njeh, sepse nuk lexon gazeta, ndërsa ne të njohim nga kjo fotografi dhe të tjera, që na tregojnë kushtet e mjera dhe të dhimbshme në të cilat jeton ti dhe familja jote.

Kur të rritesh, me të drejtë, do të pyesësh veten dhe njerëzit përqark për shkaqet e atij mjerimi ekonomik, të indiferencës shoqërore dhe moskujdesit shtetëror në të cilët u linde dhe po rritesh.

Në Shqipëri, i dashur, janë dhjetëra mijëra fëmijë që rriten në kushtet e tua. Po të mos ishte kështu ndoshta as ne nuk do ta shkruanim këtë letër, ngaqë do mendonim se raste aksidentale dhe të padëshirueshëm ka në gjithë botën dhe mund të ndreqen shpejt.

Ti, nuk ka të ngjarë ta lexosh tani këtë letër dhe, në të vërtetë, as ne nuk duam që ti ta lexosh pa u rritur aq sa të jesh në gjendje të kuptosh botën që të rrethon.

Po të ishe më i rritur, po të kishe radio dhe televizor dhe po të mundje të shëtisje nëpër bulevardet e ndriçuar dhe të hyje në sallat luksoze ku shitet moral i rremë, do dëgjoje se ti je fatlum që je lindur dhe po rritesh në “demokraci”, në liri dhe në një botë moderne.

Këto leksione mashtruese do t’i dëgjoje nga politikanë milionerë, analistë të pacipë dhe disa tipa barkmëdhenj, të gjithë të pashpirt. Këto rrëfime morale i dëgjojmë edhe ne përditë; i dëgjojmë nga ata që viti 1990 i gjeti thuajse si ne dhe si prindërit e tu, por sot janë ndryshe; nuk do të pranonin kurrsesi të përdornin shtëpinë ku po rritesh ti, as si banesë për qentë e tyre, për shembull për Reksin.

Ti nuk e di kush është Reksi, por po të tregojmë. Ai është qeni i një ish- bashkëfshatarit tënd, i cili thotë se ka 30 vjet që po sfilitet për popullin shqiptar, pra edhe për ty, dhe se ka qenë aq i suksesshëm në betejën e tij historike, të gjatë sa ajo e Skënderbeut kundër turqve, saqë sot ia ka arritur të ketë kullë të re në mal, shtëpi në kryeqytet dhe vila në bregdet. Jo për ty, as për mua, por për veten dhe pasardhësit e tij. Sigurisht, edhe për Reksin.

Po ta kishe moshën dhe mundësitë e informimit do të kishe parë dhe dëgjuar skotën e “gjeneralëve” dhe “kapterëve” të sistemit duke të thënë, si mijëra të tjerëve të moshës tënde, se jeni fatlum, ngaqë po rriteni në një Shqipëri të lirë, e cila (këtë kanë qejf ta theksojnë vazhdimisht) është bërë pjesë e NATO-s.

Anëtarësinë e vendit tonë në këtë organizatë politiko-ushtarake kjo skotë e quan si ngjarjen më të madhe në historinë e Shqipërisë pas shpalljes së Pavarësisë. Në këtë mënyrë ti duhet të besosh se epopeja e Skënderbeut për çlirim kombëtar, si dhe gjithë luftërat e tjera të shqiptarëve për liri nuk janë asgjë para qenies pjesë e NATO-s.

As zhdukja e analfabetizmit dhe përhapja e arsimit dhe kulturës kombëtare, as elektrifikimi i vendit apo ndërtimi i rrjetit të shërbimit shëndetësor falas në gjithë Shqipërinë, as industrializimi i vendit dhe punësimi i popullit nuk kanë asnjë vlerë përpara qenies natoist.

Pasi të veleshe nga këto, nuk do merrje dot përgjigje të drejtpërdrejt për pyetjen: përse kjo arritje kaq e madhe historike nuk ka mundur të më nxjerrë mua dhe familjen time nga mjerimi mesjetar? Përgjigjja e tërthortë për pyetjen e drejtpërdrejtë do të ishte: fajin e kanë prindërit e tu që s’kanë ditur të përdorin lirinë.

I dashur fëmijë!

Gjithë propaganda e sotme dhe orkestra e saj zhurmëmadhe nuk të japin mundësi tjetër veçse të mendosh rreth përgjigjes së tërthortë. Pra të fajësosh prindërit e tu që nuk kanë ditur dhe as mundur të përdorin lirinë që ua dhanë para 30 vitesh mareshalët e Revolucionit të Rremë.

Fajtorë duhet të mbeten prindërit e tu që nuk ditën të merreshin me kontrabandë nafte, armësh apo njerëzish, që nuk kultivuan dhe shitën drogë, që s’patën mençurinë të merreshin me politikë dhe, mbi të gjitha, që nuk u morën me “biznes” dhe nuk vlerësuan sa duhet tenderët.

Po t’i kishe mundësitë që përmenda do të kishe mësuar se fëmijët, që i kanë pasur prindërit “të zotët” për kësi gjënash, bëjnë një jetë të tillë që nuk dinë nga bie fshati yt i vogël, por ata njohin shumë mirë Parisin, Romën, Nju-Jorkun dhe Dubain, njohin Versaçen dhe Armanin, Moulin Rouge dhe Red Light District. Ata shkojnë jashtë shtetit për të mjekuar një dhëmb apo për të fryrë buzët, gjoksin dhe prapanicën në mënyrë që të mos iu shkojë rinia kot, ndërsa ti…

Fëmijët fatlumë të prindërve “të zotë” fshijnë djersët e qejfit me monedha 500 euroshe, ndërsa ty kaq para do të mjaftonin për suvatimin e kasolles për të penguar përplasjen e erës në trupin tënd të kërrusur që tani.

Prindërit e fëmijëve fatlumë mbajnë çanta dhe orë që vlejnë aq sa për të ngritur një shtëpi të re për ty dhe familjen tënde. Të gjitha këto i kanë fituar në saje të “mirëpërdorimit” të lirisë.

Nevoja dhe kërshëria do të të shtynin të pyesje se ku është shteti shqiptar, pra shteti yt dhe i imi që mëtohet të jetë kujdestari dhe mbrojtësi ynë.

Këtu ka mbi dy dekada që administrata shtetërore shpërdoron çdo vit 30-40 milion euro dhe askush nuk mban përgjegjësi. Nëse kërkon të dish ku kanë shkuar këto para që janë të popullit (punëtor, demokrat, atdhetar etj. etj.) duhet të hedhësh sytë tek vilat luksoze të paverifikueshme financiarisht, si dhe makinat moderne që drejtohen nga shtetas që ndryshojnë shumë nga ne dhe prindërit e tu.

Qeveria që kemi sot quhet e “e majtë” dhe, figurativisht e politikisht, ka lidhur martesë zyrtare me njerëz të varfër dhe të shtresave të mesme, por praktikisht e kalon natën në “shtretërit” e të pasurve. Se si quhet kjo lloj sjelljeje në gjuhën popullore do ta mësosh kur të rritesh.

Pjesa tjetër politike që quhet opozitë, e cila ka sunduar pjesën tjetër tê kohës qysh nga “revolucioni demokratik”, vajton çdo ditë për jetesën tuaj të mjerë, por kur ishte në pushtet nuk e dinte se ju ekzistonit.

Madje, ai që sot pret të marrë pushtetin siç pret maçoku të rrëmbejë peshkun, kur ishte në pushtet i shkaktoi ekonomisë popullore 230 milion euro dëm dhe nuk e pa të arsyeshme të paraqitej para drejtësisë. Ishte aq i zgjuar sa ta kuptonte se burgu është vend i mërzitshëm dhe se në politikë qëndron kot, nëse nuk e përdor atë edhe për t’iu shmangur gjykimit.

Kur të rritesh do ta kuptosh se me aq para do të ishin ndërtuar shtëpi për të gjithë fëmijët e varfër të Shqipërisë. Ky, që u ka hequr mundësinë të jetoni me dinjitet në një shtëpi modeste dhe që betohet se po bën çmos ta bëjë popullin të marrë në dorë fatet e veta, është milioner. Është milioneri që kërkon të na bind se milionët i ka bërë me rrogë dhe se fatet tona do jenë të njëjtë me fatin e tij, sepse kështu e ka thënë vetë Zoti.

Ke për të mësuar se në kohën që ti po jeton në mjerim, në vendin tënd e timin lulëzonte kultura e “vrimës”, se të gjithë politikanët tanë janë të dhënë pas “vrimave” dhe betohen se kanë bërë shumë të tilla, paçka se shumica janë vrima në ujë. Disa dolën nga vrimat dhe u vetëshpallën trima si Muji e Halili. Janë shumicë ata që dëshirojnë që vrimëbërësve t’iu dukej “vrima e miut 500 grosh”. Po kjo qenka shumë e vështirë të ndodhë.

Me të drejtë, ti do të pyesësh dikur se çfarë bënin miqtë tanë perëndimorë kur ndodhnin gjithë sa më sipër dhe të tjera bëma si këto. Ata, prej 30 vjetësh, na inkurajojnë me sloganin: “Keni punuar mirë, por mund të punoni akoma më mirë”.

Me gjithë sa kanë bërë politikanët tanë nën sehirin tonë dhe lavdërimet e miqve të huaj, na thonë të jemi optimistë sepse gjërat do të rregullohen nga po ata që i kanë prishur!

Ata ishin dikur të varfër si prindërit e tu, por sot janë milionerë, por janë dhe shumë modernë. Aq “modernë” sa edhe urimet për Krishtlindje e Vit të Ri nëpër fasada ndërtesash qeveritare i shkruajnë në anglisht.

Mos e humbni shpresën, na thonë, se në mos u bëftë gjë tjetër, do bëjmë një… reformë. Kjo është fjala që kemi dëgjuar më shumë këto 30 vjet. Kjo është edhe vepra që ka dhënë më pak rezultat.

Vetë fjala reformë do të thotë “formë e re”. Pra, gjithnjë, përpiqen të ndryshojnë format me kujdesin për të ruajtur të njëjtën përmbajtje. Mjerimi yt do marrë fund kur të ndryshojë përmbajtja dhe jo forma. Shqiptarët megjithëse përherë me vonesë, gjithnjë ia kanë dalë të ndahen me të keqen dhe të ecin në rrugën e përparimit.

Edhe një herë:

Gëzuar Vitin e Ri 2022, ti dhe të gjithë ata fëmijë shqiptarë që janë sonte në kushtet e varfërisë së pamerituar për një vend që i ka të gjitha asetet për t’i rritur mirë fëmijët e tij, por që është tradhtuar nga klasa e tij politike dhe nga elita e vet intelektuale./DITA

Kjo letër u kushtohet gjithë fëmijëve të varfër dhe prindërve të tyre në zonat e thella dhe periferitë e Shqipërisë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT