Kokaina me banane, gazetari: Skaneri në Durrës bëri “qorrin”, kemi të bëjmë me një linjë trafiku

Gazetari Elton Qyno thotë se Prokuroria Speciale pritet të marrë në dorë hetimet për kokainën e kapur në arkat me banane të kompanisë “Bana King – Zico Sh.a”. Sipas tij, pritet të ndalohen dhe persona të tjerë sepse kemi të bëjmë me një linjë të konsoliduar trafiku.
“Hetimet për këtë çështje janë të hapura, sepse ka pas ditë si operacion. Dihet se kush është kompania pritëse, ajo Bana King, apo Ziko Kompani që janë në hetim nga policia. Ka një sërë pikëpyetjesh që fillojnë nga nisja e lëndës narkotike. Kokaina është gjendur në kutitë e bananeve dhe ngrihet dyshim se si është futur droga aty.
Një pjesë e këtyre të kutive janë vjedhur në Itali dhe më pas vijnë në Shqipëri, ku kalojnë në Portin e Durrësit ku nuk është gjendur asnjë pako kokainë. Duket se në këtë rast skaneri ka bërë “qorrin” duke mos kapur mbi 100 kg kokainë. Kjo pjesë ngelet për tu verifikuar nga ana e policisë. Ka shumë pikëpyetje të tjera.
Vetë shoferi i arrestuar në datë 28 dhjetor ka bërë 2 rrugë, duke sjellë dy kontejnerë. Në rrugën e dytë ai tregon se i kanë dalë 4 persona që i kanë shpuar gomat. Pritet nëse do të kemi persona të tjerë të ndaluar, apo bllokim të kompanive të bananeve. Rasti ka shumë gjasa që të kalojë në SPAK, duke qenë se kemi të bëjmë me një linjë trafiku të një grupi të strukturuar”, u shpreh gazetari Elton Qyno në Ora News.