Kokaina në “BanaKing”, gazetari: Kjo kompani sjell deri në 80 konteinerë në javë! Nga Kolumbia importojmë pastë…

Gazetari Artan Hoxha thotë se kompania “Zico Sha”, e Banaking, në ngarkesën e së cilës u gjetën mbi 100 kilogram kokainë, importon deri në 80 konteinerë në ditë nga vendet e Amerikës Latine.
“Kjo kompani që është nga më të famshmet sjell, 20, 40 madje deri në 80 konteinerë në javë”, tha Hoxha.
Gazetari tha se në disa prej ngarkesave me të kapura më parë, kokaina vendosej në pjesën e frigoriferit, që është jashtë konteinerit. Por në këtë rast kokaina ishte brenda arkave me banane, që do të thotë se është futur kur janë ngarkuar bananet.
I pyetur në emisionin “Opinion”, Hoxha tha se Shqipëria importon pastë nga Kolumbia duke hedhur dyshime se kokaina vjen në forma të tjera dhe përpunohet për t’u nxjerrë përmes laboratorëve në Shqipëri.
“Nga Kolumbia ne sjellim pastë, do të thotë që kemi laboratorin brenda. Kjo vjen në formë pureje. E mban mend rastin e Xibrakës? Aty shkonte e tretur”, u shpreh gazetari Hoxha.