“Krime të dhunshme do trondisin vendin”/ Si ekzekutimi i shqiptarit futi në kaos total qytetin belg

Qyteti i Antwerp në Belgjikë është në kaos total që pas ekzekutimit mafioz të Bledar Muçës, krahut të djathtë të Çapjave të Elbasanit, fare pranë rajonit të policisë. Pritet që krime të tjera të dhunshme të “pushtojnë” qytetin evropian për shkak të miliarda eurosh që qarkullojnë nga pazaret e drogës.
Ekzekutimi i Muçës konsiston vetëm në ndezjen e fitilit të luftës së bandave të drogës në Antwerp të Belgjikës. Miku i Florenc dhe Adrian Çapjas, dy emra të botës së krimit në Shqipëri, fshihej atje si shtetas britanik.
Për të gjithë ata që nuk e njohin, Antwerp njihet si qyteti-port, ku ndodh trafiku i vërtetë i drogës nga mbretërit e kokainës. Kërcënime, ryshfete e zhvatje, janë këto metodat që përdorin kriminelët për të marrë atë që duan.
Kryebashkiaku i qytetit belg, Bart De Wever, shprehet miliarda euro që vijnë nga trafiku i drogës shkojnë për politikanët belgë, kryesisht ata lokalë.
Vetëm në vitin që lamë pas u sekuestruan gati 90 tonë kokainë që kapin vlerën e 13 miliardë euro.
“Nëse ndodheni diku nëpër qytet, në dyqan, në një bar ose supermarket, nuk është habi që të ndodheni ngjitur me një trafikant droge”, tha De Wever për The Telegraph.
“Tani nuk bën dot dallimin midis kriminelëve dhe sipërmarrësve legjitimë, ndërsa biznesmenët mbulohen me nga trafiku i kokainës, tha kryebashkiaku i Antwerp-it.
Një burim i zbatimit të ligjit në Antwerp shpjegoi se si pronat e paluajtshme të qytetit po blihen në sasi të mëdha si pjesë e skemave më të mëdha të pastrimit të parave.
Në dekadën e fundit, konfiskimet e drogës janë rritur nga pesë tonë në pothuajse 90 tonë të vitit të kaluar, pasi epiqendra e importeve të drogës u zhvendos nga Spanja në Evropën Veriore.
Por zyrtarët në terren besojnë se ata po kapin vetëm 10 për qind që përfundimisht dalin në rrugë.
Si rezultat i lidhjeve të saj historike tregtare me Panamanë, Ekuadorin dhe Paraguain, Antwerp është shfaqur si porta kryesore ku vërshon kokainës në kontinentin e Vjetër.
Fluksi i drogës nuk tregon shenja ngadalësimi, me zyrtarët belgë të doganave që pranojnë se po bëjnë një betejë të humbur, pasi fuqia e trafikantëve të pasur të kokainës i tejkalon masivisht buxhetet e zyrtarëve lokalë./GAZETA SHQIP