Kush është Tonin Vocaj, drejtori i Policisë që akuzohet nga Murrizi si pjesë e grupit “Çiftelia”?!

Policia e Shtetit ka dërguar sot për hetim ish-deputetin Myslim Murrizi me akuzën për dy vepra penale. Kallzimi iu dorëzua prokurorisë së Tiranës, ku dyshohet për fshehje të pasurisë dhe pastrim parash nga ana e ish-deputetit.
Sipas kallëzimit, Murrizi ka përfituar në forma joligjore në kohën që ushtronte funksionin e zyrtarit të lartë në KLSH duke investuar para të pista në blerjen e pasurive të paluajtshme.
“Myslim Murrizi si dhe familjarët e tij, vetë ose nëpërmjet subjekteve tregtare kanë kryer transkasione të shumta dhe të dyshimta në disa nga bankat tregtare që operojnë në vendin tonë,” thuhet në akuzë.
Por, vetë ish-deputeti hodhi poshtë këto akuza. Duke folur për emisionin “Zona Zero” në Top News, Murrizi tha se kjo shkelje nuk është konstatuar nga ana e ILDKP-së, institucioni që ka bërë deklarimin periodik të pasurisë.
“Nuk kam përfituar asnjë lek nga paratë publike dhe paratë e taksapaguesve shqiptarë. ILDKP do të njoftonte vetë ato apo të bënte kallëzim në prokurori.
Murrizi vijoi më tej duke hedhur akuza ndaj Drejtorit të Policisë së Krimit Ekonomik, Tonin Vocaj.
“Jam i gatshëm të përballem me çdo lloj fundërrime të krimit ekonomik të vjetër e të re. Ish-polici i sigurimit, Tonin Voci ka thënë se Myslim Murrizi është i dënuar, nëse do të isha i dënuar, unë do të kisha dorëzuar mandatin se me më kapte ligji i Dekriminalizimit.
Nuk më impresionon asnjë lloj presioni, nga Vocaj i grupit të famshëm “Çiftelia”. 60 mijë euro punëdhënësit e Vocit i kanë ora dhe byzylyke. Unë jam aksioner, s’jam pronar”, u shpreh Murrizi.
Kush është Tonin Vocaj
Por kush është Tonin Vocaj, mbi të cilin Murrizi ka hedhur këto akuza? Vocaj sot mban postin e Drejtorit të Departamentit të Policisë Kriminale, me gradën Drejtues i Lartë, që prej muajit janar 2019.
Emri i tij është përmendur jo pak herë në media në mënyrë kontroverse për shkak të detyrës së tij. Ai ishte pjesë e grupit “Çiftelia”, një kupole policësh që u fotografuan duke darkuar me Arben Frrokun, të akuzuar për vrasjen e Dritan Lamajt.
Vocaj u kthye në detyrë nga kryeministri Edi Rama në 2019, në të njëjtin post që kishte mbajtur në kohën e Sali Berishës.
Ishte pikërisht Vocaj, personi që mbylli vrasjen e Kosta Trebickës, që rrezikonte të dekonspironte dhe nxirrte fakte e prova kundër Shkelzen Berishës për përzierjen e rëndë të tij në aferën e municioneve në punishten e Gërdecit.
Çështja u mbyll që në gjenezë nga grupi “çiftelia” i përbërë nga Agron Kuliçi dora e fortë e Berishës në polici asokohe, Tonin Vocaj që ishte në krye të krimeve të rënda në polici, dhe ku të dy bashkë e kopsitën ngjarjen si “aksident”.
Dhe menjëherë pas mbylljes së kësaj çështjeje me arkivimin si aksident të vdekjes së Trebickës, filluan shpërblimet për ata që zhdukën provat. Tonin Vocaj, u emërua Drejtor i Policisë së Qarkut të kryeqytetit.
Grupi “Çiftelia”
Grupi i njohur si “Çiftelia” përbëhej nga 5 krerë të policisë në atë kohë, ku në mesin e tyre ishin, Tonin Vocaj, ish-zv/drejtor i Përgjithshëm i policisë dhe njëkohësisht ish-kreu i Krimeve të Rënda si dhe Nikolin Bala, ish-zv/drejtor i Përgjithshëm i Policisë dhe ish-drejtues i Forcave Operacionale.
Tre shefat e tjerë që bënin pjesë ishin Astrit Halili, ish-Drejtor i Standardeve Profesionale në polici. Arjan Bozhgaj, ish-drejtori i policisë së, ndërsa i fundit Artan Cuku, ish-drejtori i policisë së Qarkut Vlorë.
Një foto në Dajt, me Arben Frrokun, të akuzuarin për vrasjen e komisarit të Kombinatit, Dritan Lamaj, ku ata kishin pozuar me çifteli shkaktoi në atë kohë një debat të ashpër politik. Partia Socialiste i akuzoi këta shefa për lidhje me Frrokun. Të dy ish-krerët e lartë (Vocaj dhe Bala) reaguan, duke thënë se fotoja ishte shkrepur para acarimit të mardhënieve mes Lamajt dhe Frrokut dhe se nuk kishin njohje personale.
Kryepolici i asaj kohe, Artan Didi, i liroi nga detyra të 5-të, pas akuzave për lidhje me Arben Frrokun./ Gazeta Shqip