Lufta drejt fundit?! Protesta në oborrin e PD-së dhe oferta ndaj Bashës përpara 8 janarit

Partia që personifikohet me vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri ndodhet në një situatë të paimagjinueshme dhe të pazakontë. Atë çfarë do të dëshironte çdo kundërshtar politik ndaj rivalit të tyre, po ia bëjnë vetë njerëzit brenda PD-së, pa pasur nevojën e “ndërhyrjes” së socialistëve.
Që nga 19 maji 2021, dita kur Sali Berisha u shpall si person “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Partia Demokratike është përfshirë në zhvillimet e paimagjinueshme në shkarkime, në referendume, në largime, në mbajtje kongresesh. Të gjitha këto zhvillime të vrullshme pasi po ndodhin brenda 6 muajve që në shtratin e vet të një partie i duhen të paktën katër vite. Sot, të dyja palët kanë arritur në drejt betejës finales. Ajo do të zhvillohet me 8 janar, si dita e revolucionit paqësor, ku për herë të parë opozitarët e përfaqësuar nga ish-kryeministrit Sali Berisha kanë thirrur një protestë jo kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama gjë që do të ishte normale, por kundër Lulzim Bashës, kryetarit të PD-së, që po i reziston lëvizjes së Foltores që e ka shkarkuar atë nga posti i kryetarit si me vendim Kuvendi, ashtu dhe me një referendum nga anëtarësia.
Si kundërpërgjigje ndaj aktit të Bashës të forcimit të dritareve dhe hermetizimit të derës kryesore, Berisha bëri publike protestën e radhë e kësaj here jo kundër Ramës, por nën moton “Basha ik”. “Jo bunker i pengut, por shtëpi e demokratëve!”. Kjo është motoja e protestës së 8 janarit e thirrur në ora 12:00 në oborrin e PD-ë.
Bunkerizimit të PD-së, i pretenduar nga njerëzit e Berishës, iu kundërpërgjigjën së fundmi kryedemokrati Lulzim Basha dhe sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi.
“Hera e parë në historinë e Shqipërisë që një politikan i lartë shpallet i padëshiruar nga SHBA, dhe po hera e parë në Shqipëri që ai thërret një protestë kundër partisë së tij – Partisë Demokratike, me motivin pse ajo nuk kthehet në bunker ku ai mund të “strehohet” për t’u mbrojtur”, reagoi Basha.
Ndërsa më pas Gazment Bardhi hodhi poshtë pretendimet e vendosjes së mburoja në dritaret e PD-së, edhe pse tashmë hyrja nga porta kryesore është e bllokuar.
“Ka vetëm një rrezik për bunkerizimin e PD. Ai nuk vjen as nga adezivët me logon e PD, as nga risistemimi i disa ambienteve të punës për sekretariatin e PD. Rreziku për bunkerizimin e PD vjen nga kushdo që shpalljen non-grata të SB nga SHBA kërkon ta transferojë tek çdo demokrat”, tha Bardhi me anë të një postimi në rrjetet sociale.
Përballë këtij revolucioni “paqësor” ndaj Bashës është hedhur oferta e fundit nga ana ish-kreut të Këshillit Kombëtar të PD-së, Edi Paloka.
“Ky është një mendim tërësisht personal dhe nuk ka asnjë lidhje me pozicionin që unë kam sot si njeri prej 29 anëtarëve të Komisionit të Rithemelimit te PD. E kam thënë që në fillim të “konfliktit” se vetëm VOTA e demokratëve e zgjidh problemin. Në këto kushte, mbetet dhe një hapësirë e fundit ; zgjedhjet në PD për të gjitha strukturat , përfshi dhe kryetarin e PD. Kuvendi i 11 dhjetorit ka caktuar një periudhë dhe 22 marsin si ditën e zgjedhjeve si dhe ka ngarkuar Komisionin e Rithemelimit për organizimin e tyre . Unë mendoj që për interesa madhore të PD çdo gjë mund të negociohet për të zhvilluar një proces të pastër e me besimin e të gjithëve. Demokratët të vendosin me votën e tyre, sepse vetëm kështu qëndrojmë të bashkuar dhe gjithë energjitë tona i përqendrojmë në luftën kundër Ramës. Bëhu pjesë e këtij procesi . Kush fiton drejton! Por edhe ai që humbet , nuk humb përfundimisht!”, shkruan Paloka.
Duke iu drejtuar personalisht ai shprehet më tej “Zoti Basha , ti je ende i ri , kështu që edhe po të humbësh në këtë garë, nuk do të ishte fundi i karrierës tënde politike. Nëse do ndiqje këtë rrugë, kam bindjen që dhe shumica e demokratëve që sot janë kundër teje, do dinin të falnin e pse jo dhe të të mbështesnin në një të ardhme . Ndërkaq rruga ku je futur e po ndjek është fundi, sepse nëse i çon demokratët deri në përplasje , nuk bën gjë tjetër veçse shërben si kamikaz për interesin e Ramës, i cili është i vetmi që përfiton. Prandaj zgjidh vërtet të ardhmen tënde dhe të PD , e prano votën e demokratëve si mekanizmin e kësaj të ardhmeje”. Brenda katër ditëve, kur do të bie gongu i betejës mund të ketë kohë për një reflektim, pasi kompromisi duket i paarritshëm, pasi luftës brenda PD-së po i vjen fundi me 8 janarin që mund të cilësohet si akti final.