“Ne kemi vite eksperiencë, viktimat janë qëlluar nga afër”! Turpi i Hipokratit, njihni dy mjekët që mashtruan në 21 janar

Mes vrasësve dhe manipulatorëve të 21 janarit janë edhe dy mjekë. Fjala është për dyshen Koçeku -Gega. Në ato orë të trazuara kur konfirmohej vdekja e personave në protestë, jepnin versionin e “vrasjes së tyre nga afër”, duke lënë të nënkuptuar se ishte fjala për një komplot.

Paralel me deklarimet e tyre “profesionale”, kryeministri i vendit Sali Berisha dhe mediat afër qeverisë aludonin për vrasje të realizuara nga rradhët e opozitës.

Pas dështimit të skemës për t`ia faturuar protestuesve vrasjen e protestuesve, deklarimet e mjekëve gati u harruan. Ata nuk u ndjenë më pas ngjarjes.

Për shumëkënd, është e tepruar të merresh me deklarimet e dy mjekëve, gjersa Berisha, ideatori i atyre vrasjeve dhe më pas fshehësi i tyre, ende nuk është çuar për t`u ballafaquar me Drejtësinë.

Por ‘21 janari’, ka vulën e turpit edhe për këta individë, të cilët kanë shkelur me dy këmbët betimin e Hipokratit.

Lart dhe djathtas, mjeku Sami Koçeku. Majtas, mjeku Alfred Gega në fushatën e 25 prillit

Një prej tyre, Sami Koceku ishte në listën e PD për deputet në Tiranë në zgjedhjet e 25 prillit.

Ministria e Shëndetësisë  i është drejtuar në dt. 13 janar 2014 Këshillit Rajonal të Urdhrit të Mjekut në Tiranë me një ankesë ndaj dy mjekëvë. E cila mbeti thjesht ankesë:

Në datën 21 Janar të vitit 2011, të dy këta mjekë kanë qënë duke shërbyer pranë spitalit të traumës, në momentin kur pas tubimit në spital janë paraqitur shumë protestues, për të marrë ndihmë mjekësore.

Ata kanë deformuar realitetin dhe dizinformuar publikun, mbi gjëndjen shëndetësore dhe shkakun e vdekjes së shtetasve, Ziver Veizi, Hekuran  Deda, Faik Myrtja, Aleks Nikaj.

Mjekët deklaruan se vdekja e shtetasve të sipërcituar, kishte ardhur si rezultat i goditjes nga armët e zjarrit dhe se qitja ishte kryer nga një distancë shumë e afërt.

Koçeku dhe Gega në 21 janar

Ja çfarë deklaruan mjeku KOÇEKU dhe GEGA në TV News 24:

Dr. Sami Koçeku: Janë… dy mbeten të identifikuarit, janë ekzakt sipas parametrave mjekësorë, dy konsiderohen të vdekur civilë, kanë shkuar në morg, një i identifikuar dhe një i paidentifikuar. Dhe tjetri që është i identifikuar është në Spital Ushtarak akoma, faktikisht, pavarësisht se ai ka bërë…, ka vdekur…, ka bërë…, ne po e mbajmë në monitorim.

Gazetari: Doktor, edhe personi i tretë ka vdekur nga një plumb?

Dr. Sami Koçeku: Nga një plumb në kokë.

Gazetari: Në kokë. Dhe kjo, nga distancë e afërt?

Dr. Sami Koçeku: Shiko tani, ne kemi një eksperiencë prej 18 vjetësh në plagët prej armëve të zjarrit.  Eksperiencën më të madhe në Shqipëri e ka qendra jonë, për këtë eksperiencë kaq të madhe edhe mund të orientohemi.

Plagët me të cilat kanë ardhur janë të distancës së afërt, kanë dhe shenjat e djegies, shenjat e plumbit, apo unazën e plumbit. Dhe unë, kur kam folur që thashë janë të distancës së afërt kam folur duke i’u referuar eksperiencës sime prej kaq vjetësh në spital dhe i njoh mirë plagët nga armë zjarri.

Gazetari: Pikërisht, nga kjo experience, nga sa afër mund të jenë qëlluar zoti Koçeku?

Dr. Sami Koçeku: Distanca është shumë e afërt, shenjë plumbi dhe djegieje nuk e bën distancë mbi një metër e gjysëm

Intervista e dytë:

Gazetari: Do na jepni një informacion sa persona janë plagosur dhe a ka persona që kanë humbur jetën apo jo?

Dr. Sami Koçeku: Ekzakt nuk mund të jap asnjë lloj informacioni për numrin e tyre këtu, por ekzakt dihet se aktualisht kemi dy civilë të vdekur, janë me plumba në distancë të afërt, janë me të gjitha shenjat…, konfirmim që distanca ka qenë shumë e afërt nga qëllimi i tyre. Duhet të jenë armë të kalibrit të vogël, për arsye se, nuk janë plagë që hyjnë dhe dalin, janë vetëm plagë hyrëse, që tregon se s’kanë fuqi arme dhe janë qëlluar nga afër…

Gazetari: Në ekspertizën tuaj zoti Koçeku, cfarë fishekësh kanë qenë ato sipas jush?

Dr.Sami Koçeku: Me syrin tim, pistoleta të kalibrit të vogël, duket nga këto tip silenciator por të vogla, të vegjël, kalibër i vogël, i hollë, por që…

Gazetarja 1: Nga çfarë plagësh kanë ardhur? Me gurë?

Gazetarja 2: Armë zjarri?

Dr. Alfred Gega: Dukeshin plagë të vogla që shkonin për armë zjarri nga distancë e afërt.

Siç shihet në këto intervista, thëniet e tyre janë tërësisht të pavërteta dhe krahasuar me akt-ekspertimin mjeko ligjor që ju është bërë viktimave nga Instituti i Mjeksisë Ligjore, ato bëhen edhe më të rënda, pasi janë jo vetëm në shkelje të Kodit të Etikes, por edhe veprër penale.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT