OJF-të kundër vendimeve për Zonat e Mbrojtura: Ndikojnë në diversitetin biologjik të të gjithë Shqipërisë

Organizatat jo fitimprurëse mjedisore dhe përfaqësues të institucioneve shkencore dhe akademike kanë kundërshtuar dy vendimet e Këshillit të Ministrave në lidhje me Zonat e Mbrojtura.

Sipas njoftimit të Albania Ornithological Society, vendimet në fjalë pakësojnë me 11% sipërfaqen e Zonave të Mbrojtura Ligatinore dhe po ashtu ndikojnë në diversitetin biologjik të këtyre zonave, por edhe të gjithë Shqipërisë.

Ndër të tjera, në njoftimin në fjalë thuhet se procesi për miratimin e këtyre vendimeve është i mbushur me shkelje të shumta ligjore dhe se përmbajtja e vendimeve mbart paligjshmëri. Për rrjedhojë, vetë vendimet janë të paligjshme dhe sipas tyre do të kundërshtohen në gjykatë.

Njoftimi i ALBANIA ORNITHOLOGICAL SOCIETY:

OJF-TË KUNDER VENDIMEVE TE KËSHILLIT TË MINISTRAVE, 26 JANAR 2022, PËR ZONAT E MBROJTURA

OJF-të mjedisore dhe përfaqësues të institucioneve shkencore dhe akademike kundërshtojnë dy vendimet e Këshillit të Ministrave të datës 26 janar 2022 për Zonat e Mbrojtura.

Ato vendime reduktojnë me 11% sipërfaqen e Zonave të Mbrojtura Ligatinore, heqin habitatet e vlefshme, hapin rrugën për zhvillime të paqëndrueshme në ose pranë tyre, rrisin ndikimet negative në zonat qendrore të Zonave të Mbrojtura, varfërojnë habitatet dhe speciet, ndikojnë tek diversiteti biologjik i këtyre zonave dhe të gjithë Shqipërisë.

Vendimet synojnë të legjitimojnë shkatërrimin e zonave të mbrojtura bregdetare dhe ligatinore të Shqipërisë duke prekur liqenin e Shkodrës, ekosistemin Buna-Velipojë, ligatinat e Kune-Vain, Tale dhe Patok, Parqet Kombëtare të Divjakë-Karavasta dhe Butrint, si dhe zonat të Vjosë-Nartës dhe Pishe-Poros. Pas tyre fshihen zhvillime të paqëndrueshme, si urbanizimi, aeroportet, bujqësia intensive, habitatet e zëna nga parqet industriale të paneleve fotovoltaike dhe turbinave me erë etj.

Këto investime janë në kundërshtim me funksionet ekologjike të Zonave të Mbrojtura Bregdetare. Për rrjedhojë, vendimet janë fillimi i fundit për Zonat e Mbrojtura Ligatinore të Shqipërisë dhe në të njëjtën kohë shkatërrojnë të gjithë diversitetin biologjik të vendit.

Procesi për miratimin e këtyre vendimeve është i mbushur me shkelje të shumta ligjore. Përmbajtja e vendimeve mbart paligjshmëri. Për rrjedhojë, vetë vendimet janë të paligjshme dhe do të kundërshtohen në gjykatë. Gjithashtu, përmbajtja e vendimeve si dhe procesi do të ankimohet pranë konventave për mbrojtjen e natyrës ku Shqipëria është palë nënshkruese.

OJQ-të dhe përfaqësuesit e institucioneve shkencore dhe akademike janë të vendosur për të luftuar jo vetëm zvogëlimin e sipërfaqes, por edhe planet famëkeqe për të shkatërruar Zonat tona të Mbrojtura Ligatinore.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT