PD bën gati justifikimin e humbjes? / Bardhi: 6 marsi jo test për ne! Zgjedhjet mbahen me kushtet e 25 prillit

Partia Demokratike, të paktën pjesa zyrtare e saj duket se e ka gati justifikimin në rast humbjeje në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit.
“Nuk do t’i quaja zgjedhjet e 6 marsit test për PD, edhe për faktin se ato vijnë pa mbushur vitin nga masakra e 25 prillit. Nuk është marrë asnjë masë ligjore për atë që ka ndodhur në 25 prill, nuk ka nisur puna për reformën zgjedhore, shkojmë me të njëjtat kushte si në 25 prill. Shtuar kesaj edhe koha e pamjaftueshme për fushatën, i bën zgjedhjet e 6 marsit jo një test për PD, por zgjedhje të pjesshme vendore normale për këtë vit të mandatit që ka mbetur në bashkitë ku është krijuar”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.
Bardhi pranoi se PD ndodhet në një situatë të vështirë, por e cilësoi krizën e brendshme një moment transformimi historik për këtë parti.
Në 6 mars votohet në bashkitë Shkodër, Durrës, Vorë, Dibër, Rrogozhinë dhe Lushnje. Sali Berisha deklaroi më herët se do të dalë me kandidatët e tij, ndërsa të njëjtën gjë pritet të bëjë edhe Lulzim Basha, duke përçarë votën opozitare dhe minimizuar mundësitë e opozitës për fitore në këto bashki.