Përplasja te “5 Maji”, Rama: Nuk është dhunë, i dolën përpara ligjit, s’na ndal askush

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas tensioneve dhe përplasjeve mes një grupi banorësh dhe punonjësve të IMT-së dje në zonën e “5 Majit” në Tiranë.
“Të gjithë banorët kanë mundësi të përfitojnë të drejtat që u takojnë. Asnjë banor nuk hidhet në rrugë, por zhvillimi i këtij vendi nuk merret peng nga askush. Nuk është dhunë, por ushtrimi i forcës së ligjit për ata që i dalin përpara shtetit me forcë” tha ai.
Deklarata e Ramës
Ato janë e do të jenë pamje të përsëritura sa herë në emër të mbrojtjes individuale do të shkelet e drejta e përbashkët, do të shkelet ligji. Unë di që të gjithë banorëve iu është dhënë qartësisht drejtim dhe qartësisht të gjitha banorët kanë mundësi të përfitojnë.
Asnjë banor nuk hidhet në rrugë, por zhvillimi i këtij vendi dhe e mira e përbashkët nuk merret peng nga askush. Kështu që sa herë do të ketë banorë që do të bëjnë këtë, aq herë do të shkojnë në polici që do bëjë detyrën e vet. dhe nuk është dhunë por është ushtrimi i forcës së ligjit, për të gjitha ata që i dalin përpara shtetit, njerëzve me forcë. Kaq e thjeshtë është kjo.
Opioni i të gjithë banorëve është dëgjuar me dhjetëra herë, dhe ajo që duhet t’ju interesojë juve është të verifikoni, këtë që po them. A janë këta banorë të hedhur në rrugë të madhe, apo janë këta banorë, secili me një mundësi tjetër sic i takon. Dhe unë ju them është kjo e dyta. Ne do ndërtojmë të gjitha apartamentet për të pastrehët do të bëjmë një program kombëtar strehimi shumë më të madh që shkon shumë më tej tërmetit. Do u japim të gjithëve atë që ju takon po askush, nuk mund t’i imponohet një komuniteti, sepse bëhet fjalë për ndërtime të paligjshme, dhe pavarësisht kësaj atyre i është ofruar kompensim. Në demokraci të gjithë kanë të drejtën për t’u dëgjuar, por nëse dëgjohen të gjithë atëherë nuk ka kurrë asnjë vendim.