“Regjimi Rama-Brava ka përballë rivalë të fortë”/ Prezantohen kandidatët e parë të Berishës për Lushnjen

Anëtari i Komisionit të Rithemelimit të PD-së, Klevis Balliu ka deklaruar nga qyteti i Lushnjës se janë propozuar disa emra, të cilët do t’i nënshtrohen primareve nga anëtarësia e demokratëve për të zgjedhur kandidatin për kryetar bashkie që do konkurrojë në zgjedhjet e 6 marsit.
Balliu u shpreh i bindur se kandidati që do përzgjidhet nga anëtarësia, do të arrijë fitore në Bashkinë e Lushnjës. Deri më tani në primare u propozuan shtatë persona, ku më të spikaturit janë emra si Arben Zajmi, Daniel Shandro dhe Nevila Bami.
“Sot në degën e Partisë Demokratike në Lushnje u mblodhëm me demokratët për të marrë propozimet për kandidatët për Kryetar Bashkie. Komisioni i Rithemelimit të PD-së, në zbatim të Statutit të votuar nga antarsia më 11 Dhjetor, nisi procesin e përzgjedhjeve të kandidatëve për Kryetar Bashkie, i cili bëhet me primare brenda partisë. Regjimi Rama-Brava do të përballet me kandidatura të forta dhe fituese në zgjedhjet e pjesshme vendore. Kandidatët tanë i zgjedh antarësia, ndërsa kandidatët e Lul Bravës i zgjedh Edi Rama”, shkroi më herët Balliu.