Rinis gjyqi/ SPAK kërkon 12 vite burg për ish-ministrin, çfarë deklaroi Tahiri para gjyqtarëve

Ka nisur pas disa tentativash të dështuara, në Gjykatën e Posaçme të Apelit rishqyrtimi i dosjes në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Në seancë, prokurorët e SPAK-ut këmbëngulën për deklarimin fajtor të Tahirit për akuza që e lidhin atë me trafikun e drogës dhe grup të strukturuar kriminal. Ata i kërkuan gjykatës dënimin me 12 vite burg.

E njëjta masë është kërkuar edhe për ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çelën. Ndërkohë, ish-ministri Tahiri kërkoi pafajësi. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar, SPAK ka kërkuar 8 vite burg për ish-zyrtarët.

Por ish-ministri Tahiri tha se prokuroria nuk ka asnjë provë të re dhe se nuk ka asnjë lidhje me grupin e Habilajve.

Tahiri kishte shkuar i përgatitur në sallën e gjyqit, pasi kishte marrë me vete dhe një tabelë ku kishte caktuar detaje nga dosja e tij. Ai i ka kërkuar trupës gjykuese që të veprojë me profesionalizëm dhe të veprojë mbi bazë të provave.

“Ju kërkoj me përulësi, veproni me profesionalizëm të gjitha provat. Nëse do të bëni këtë gjë, unë do të jem i pafajshëm”, tha ai. Tahiri analizoi 4 episodet e tregtimit të narkotikëve në Itali, ndërsa shtoi se kishte kryer detyrën e tij si ministër. Avokati i tij Maksim Haxhiaj bëri një mbrojtje të detajuar për rastet e hetimit ndaj klientit të tij.

SPAK ka vendosur një praktikë, pasi çështja është voluminoze, sepse ka rreth 30 mijë faqe të dosjes dhe mund të ndodhë që trupa gjykuese të marrë kohën e nevojshme për të dhënë vendimin për çështjen në fjalë.

Prokuroria e akuzoi asokohe Tahirin për trafik të narkotikëve dhe kërkoi arrestimin e tij, por shumica parlamentare socialiste e bllokoi kërkesën për arrestim dhe e sulmoi hetimin e prokurorisë si të njëanshëm.

Në shtator 2019, Tahiri u shpall i pafajshëm për akuzat e trafikut të narkotikëve dhe grupit të strukturuar kriminal, por u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 5 vjet burg për shpërdorim detyre, dënim i cili u konvertua me 3.4 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe në shërbim prove.

Vitin e kaluar Tahiri pati një fitore të lehtë pasi Gjykata e Lartë i dha një fitore proceduriale,  duke pranuar kërkesën e ish-ministrit të Brendshëm për të rikthyer çështjen në apelin e GJKKO me trupë të re gjykuese. Kështu që është rrëzuar kërkesa e SPAK për rigjykim në shkallë të parë.  Gjithashtu Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën Jaeld Çelës për pafajësi.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT