U shmang nga Erdogan, Meta: S’kisha kohë për ta takuar! Po ta kërkonte do të bëja një sforco

Presidenti Ilir Meta ka folur në lidhje me mungesën e një takimi me Presidentin turk, Recep Taip Erdogan, që sipas Zërit të Amerikës e shmangu protokollin në këtë vizitë.
Meta thotë se nëse Erdogan do t’i kishte kërkuar takim, do të bënte një sforco për të gjetur kohë për ta takuar.
“Zoti Erdogan ka qënë i ftuar i qeverisë dhe është sjellë si i ftuar i qeverisë. Uroj të ketë kaluar sa me mirë në Shqipëri. Nëse do të kërkonte një takim sot do të bëja një sforcim për ta takuar, sepse kam pasur një axhendë vërtet shumë të ngarkuar. Por, nuk ka kërkuar takim. Zoti Erdogan nuk ka qënë i ftuar nga unë”, tha Meta.
Meta deklaroi se për të ka qenë një ditë shumë e jashtëzakonshme, i angazhuar në shumë aktivitete për të nderuar kujtimin e paharruar të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
“Nuk kam arsye të kem ndonjë keqardhje që nuk kam takuar zotin Erdogan. Doja të falenderoja me shume mirënjohje popullin turk për ndihmat bujare që i kanë dhënë popullit shqiptar”, tha ai.