U tërhoq zvarrë nga forcat e policisë, 78-vjeçarja që iu shemb shtëpia 3-katëshe: Do marrësh l*shtë më tha njëri, po bëjmë kallëzim…

Shqipëria Live- E mërkura solli një përplasje të fortë ndërmjet policisë dhe banorëve të “5 Majit”. Prishja e shtëpive nga Bashkia e Tiranës për t’i bërë vend banesave të reja që do të ngrihen në kuadër të rindërtimit. Solli pamje surreale në përplasjen e Bashkisë me banorët.

Një djalosh u lidh në çatinë e shtëpisë për të mbrojtur banesën e tij, ndërkohë që policët e hoqën me forcë. Më të frikshme ishin pamjet e nënë Lizës që nuk donte të linte banesën dhe policët e hoqën me forcë.

Sjellje e shëmtuar nga ana e uniformave blu. Banorët nuk kanë arritur ende një marrëveshje me policinë dhe mbrëmjen e së mërkurës e natën e kaluan në qiell të hapur. U prishën 7 shtëpitë e para nga 430 në total që është plani.

Ditën e sotme nënë Liza Marku ishte në një lidhje telefonike me emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, ku u shpreh se nuk ka arritur dot që të marrë as gjërat e saj personale.

U tërhoq zvarrë nga forcat e policisë, 78-vjeçarja që

Rrëfimi i nënë Lizës:

Erdhi policia sikur të kishte rënë ndonjë bombë në parlament. Nuk na lanë  me marrë as rrobat personale. Donim të hynim brenda e më kapën për krahë policet.

Tani jam te policia, po bëjmë  kallëzim për shkatërrim prone. Doja të hyja të  merrja gjërat personale, rrobat, pasaportat e gjërat e mia. Ju thashë se dua të  hy të  marr gjërat e mia dhe vajzat më ndaluan e më thanë  nuk duhet të  hysh.

Do marrësh leshtë më tha njëri, e unë  isha te shtëpia ime, nuk i kërkova askujt asgjë. Isha te shtëpia ime e bërë  nga fëmijët e mi me djersë. Policët më  thanë  nuk do merrni asnjë dëmshpërblim për shtëpinë  e prishur.

Njërin djalë e kishin marrë  e shoqëruar te makina e policisë, pasi më  morën zvarrë mua pyetën kë ka kjo, e nxorën djalin tim nga makina. 6 vetë me një 78-vjeçare.

Nuk kemi kundërshtim me zhvillimin e zonës, por kryetari duhet të  vij të na sqarojë. Të na merrte të na çonte në  pallat, por jo shtëpi sociale. Se unë kisha shtëpi 3-katëshe. Mbrëmë  kam fjet jashtë, se kisha rrobat jashtë. Kam njerëz ku të  shkoj, po si të lë gjërat jashtë.

Unë nuk po vidhja, unë po merrja rrobat e mia. Tash kam ardhur të bëj kallëzim penal. Unë  dua centim për centim metrat katrorë të shtëpisë, e cila ka qenë në  proces legalizim.

Unë  nuk kam bërë  asnjë marrëveshje, se thotë do të bëhet, po mund të bëhet pas 100 vitesh. Unë  e dua me një  kontratë, por këto janë të gjitha rrena. Premton, por premton një gjë që nuk dihet kur bëhet.

Edhe ilaçet që  marr për zemër nuk më lanë me i marrë, e tani nuk e di se ku i kam. Nëse nuk marr shtëpi aq sa kisha, do të  hy tek ajo dhoma që ka ngel pa u shembur, unë nuk shkoj nëpër miq./Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT