Vuçiç voton për Referendumin dhe kërcënon Prishtinën: Do të ketë pasoja të rënda…

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, pas votimit në Referendumin e organizuar nga Serbia për ndryshimet kushtetuese në fushën e drejtësisë foli edhe për zhvillimet në Republikën e Kosovës, ku Kuvendi miratoi një rezolutë kundër mbajtjes së këtij referendumi brenda territorit të Kosovës.

Siç raportojnë mediat serbe, Vuçiç tha se serbët nga Kosova “treguan se vota e tyre paraqet votë për Serbinë” dhe jo për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Ai tha se vendimi i Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e këtij referendumi “do të ketë pasoja të rënda”.

Vuçiçi s’është ndarë i kënaqur as me vendet e QUINT-it dhe vendosmërinë e tyre për ta bindur Qeverinë e Kosovës që ta lejonte mbajtjen e këtij Referendumi edhe në Kosovë.

Ai pati qasje kritike ndaj SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

“Nga to nuk mund të dëgjohen kritika apo sanksione ndaj Prishtinës”, u ankua Vuçiç.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës të shtunën kanë miratuar një rezolutë që shpreh kundërshtimin që në Kosovë të mbaheshin votime për referendumin e Serbisë.

Me 76 vota pro, asnjë kundër dhe një abstenim, Kuvendi miratoi rezolutën gjatë një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga kryeministri Albin Kurti.

Sipas rezolutës, mbajtja e Referendumit të Serbisë në Republikën e Kosovës cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës është në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe me normat e praktikat ndërkombëtare.

Ekzekutivi i përballoi edhe kundërshtimet nga shtetet e QUINT-it, që në një takim me kryeministrin Albin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani, kërkuan që të lejohet mbajtja e Referendumit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT