Zbulohet pas 103 vitesh nën ujë, anija Verbano. Historia si u mbyt në Durrës pak ditë pasi kishte përfunduar Lufta e Parë

Anija me emrin ‘Verbano’ u mbyt me 13 nëntor 1918, pak ditë pasi kishte përfunduar zyrtarisht Lufta e Parë Botërore. Piroskafi, 74 m, i cili njihej si anije transporti e marinës mbretërore italiane, po lundronte nga Kotorri drejt brigjeve të Libisë, kur shpërthimi i dy minave i dëmtoi plotësisht sallën e motorrëve.
Nga 61 marinarë gjithsej që kishte në anije, 8 marinarë humbën jetën menjëherë, më pas vdiqën nga plagët edhe të tjerë. Një pjesë e ekuipazhit shpëtoi falë ndërhyrjes së torpedinieres italiane 57 AS.
Megjithë gjendjen e rënduar mjeti lundrues arriti në gjirin e Durrësit, por aty u fundos. Që nga ai moment, fati i “Verbanos” mbeti për më shumë se 103 vjet krejt i panjohur për publikun.
Zhytësit Andrea Bada dhe Denis Nova, e kanë rizbuluar kohët e fundit në thellësinë 90 metra. Arkeologu nënujor, Adrian Anastasi, tha për BIRN se u deshën afro pesë muaj për të identifikuar reliktin. Është pikërisht Verbano.
Në brigjet shqiptare janë identifikuar reliktet e dhjetra anijeve tregtare dhe ushtarake, të cilat mund të kthehen në destinacione turistike.
Konventa e fundit ndërkombëtare UNCLOS III, ku aderon edhe vendi ynë kanë përcaktuar një periudhë 100-vjeçare, gjatë së cilës të drejtat mbi anijet e mbytura i kanë së bashku, si shteti i flamurit të mjetit lundrues, po ashtu edhe vendi të cilit i përkasin ujrat detare ku anija ndodhet.
Sipas të dhënave të Komandës së Forcave tona Detare, nga 64 anijet e mbytura përballë brigjeve shqiptare pjesa më e madhe i përkasin dy luftërave botërore, viteve 1914-1918 dhe 1939-1945, ndërsa 19 të tjera, janë anije të Flotës sonë Detare ushtarake gjatë Luftës së Ftohtë, që u fundosën për shkaqe të ndryshme pas viteve 1990.
Anija “Verbano” filloi të ndërtohet në vitin 1907 në një nga kantieret e Liverpulit me emrin e parë jozyrtar “Gemini” (Binjakët yjorë).
“Anija ishte porositur nga qeveria japoneze, me qëllim transportin e nëndetëseve nga Evropa drejt Paqësorit,” tregon dr. Adrian Anastasi, lidhur me anijen e mbytur pranë Durrësit dhe që mbijetoi vetëm 10 vjet.
Pas transportit të dy nëndetëseve të para, të cilat për të përballuar lundrimin e gjatë u vendosën në bordin e piroskafit duke përdotur një teknologji krejt të re, anija mori emrin “Transporter”.
Marina Mbretërore italiane e bleu atë në vitin 1910 dhe e vendosi në arsenalin e saj të bazës detare në Taranto, ndërsa vetë anija komandohej gjatë gjithë kohës nga oficerë të kësaj Marine.
Para dhe gjatë Luftës së Madhe 1914 – 1918, piroskafi që u pagëzua me emrin e ri “Verbano” punoi për transportin e municioneve dhe pjesëve të artilerisë.
“Verbano” ishte nisur nga Kotorri dhe po lundronte drejt brigjeve të Libisë, kur ndeshi në minat detare që i morrën jetën më shumë se 40 marinarëve italianë dhe shkatërruan pjesërisht anijen që më paa u mbyt.
—-
Me shkurtime nga Reporter

