Zgjedhjet e 6 marsit, Rama: Opozita do luftojë për mbijetesën e Bashës dhe të Berishës, Meta, edhe grata edhe non grata

Disa ditë pas mbledhjes së Kryesisë, Partia Socialiste ka mbledhur sot Grupin Parlamentar. Rama zbuloi se është shtyrë edhe data e mbledhjes së Kongresit të PS, nga 29 janari në javën e parë të muajit prill.

Ai u ka dhënë porosi deputetëve lidhur me zgjedhjet e 6 marsit, ndërsa nuk i ka kursyer edhe ironitë për opozitën.

“Për fushatën do të organizohemi sa më mirë, por duke mos e humbur fokusin nga Këshillimi Kombëtar, se kjo është një shtysë që të gjithë deputetët të flasin me njerëzit.

Të angazhuar do jenë vetëm forcat vendore, deputetët, drejtuesit politik të qarkut, mesazhet të lidhura me hallet, problemet dhe me shpresat e komunitete dhe sa më pak politikë në këto zgjedhje aq më mirë, se politikisht panorama e këtyre zgjedhjeve është qartë.

 Nga ana tjetër kundërshtarët tanë me 12 apo 18 kandidatë që do luftojnë për mbijetesën politike të drejtuesve partiakë në Tiranë dhe që s’kanë asnjë lidhje me këto zgjedhje”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama bëri ironi dhe sulmoi LSI-në, PD-në e Bashës e PD-në e Berishës, duke vendosur theksin tek përçarja e tyre, se nuk dinë se kujt populli po i drejtohen.

“Të gjithë kundër të gjithëve për të provuar forcat mes të gjithëve. Dy parti Demokratike, njëra më e madhe se tjetra dhe një tjetër parti me e madhe se të dyja bashkë! 3 lider njëri grata, tjetri non grata, i treti të dyja bashkë edhe grata edhe non grata.

3 popuj pas tyre, populli i 11 dhjetorit, i 18 dhjetorit dhe i 2 marsit, ky treti i vërteti që merr jetë mes të parit dhe të dytit. Kjo është oferta për demokratët dhe për të gjithë ato që e quajnë veten pjesë të këtyre tre popujve, ndërkohë që populli është i qartë për çfarë sheh. Në emër të këtyre tre popujve do të thirren 6 fushata.

Rraqe rraqe kikiko, sa gishta janë këto. Teksa rraqet do të hidhen mbi njëra-tjetrën, duke i kthyer 6 bashki në rraqe në duhet të shikojmë punën tonë derë më derë nëpër të gjitha lagjet e këtyre bashkive”, tha Rama.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT