“75% e trupave ruse janë brenda Ukrainës”/ Paralajmëron Pentagoni: Objektivi mbetet Kievi, por forcat bjelloruse…

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes raporton se 75% e forcave ruse që ishin pozicionuar në kufijtë e Ukrainës, tashmë ndodhen brenda vendit.
Sipas tyre, qëllimi kryesor i trupave është marrja e Kievit dhe për këtë arsye, trupat janë pozicionuar drejt kryeqytetit, duke përparuar çdo ditë.
Ushtarët ende nuk kanë kapur dy qytete kryesore: Kharkiv në verilindje dhe Mariupol në jug, teksa ata nuk po bëjnë përparimin që kishin planifikuar për shkak të çështjeve logjistike dhe rezistencës së ashpër nga luftëtarët ukrainas.
“Ata po përdorin pothuajse gjithçka që kanë në arsenalin e tyre, nga armët e vogla deri te raketat ajrore, në përpjekje për të ngadalësuar rusët,” tha një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane.
Zyrtari tha se SHBA nuk ka parë ende ndonjë indikacion për lëvizje specifike ruse në lidhje me njoftimin e presidentit Putin për parandalimin bërthamor të dielën.
Pentagoni gjithashtu nuk i ka raportuar ende lëvizjet e forcave bjelloruse për të siguruar mbështetje për rusët.