Basha përdor si ‘tub oksigjeni’ inceneratorët përpara se të digjet në zgjedhjet e “6 Marsit”

Kur duhen pak më shumë se 2 javë për të ardhur zgjedhjet e pjesshme lokale në Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë, Shkodër dhe Lushnjë, lideri i çdo partie do bënte çmos për të “reklamuar e promovuar” kandidatët me të cilët do të garojë.

Do të shfrytëzonte çdo dalje publike, çdo konferencë për shtyp, çdo postim në rrjete sociale për t’i dhënë sa më shumë pikë kandidatëve e për të bindur elektoratin kundërshtar apo atë gri.
Të vetmin që nuk e kemi parë ta bëjë këtë gjë në konferenca për shtyp, është kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Kur numërimi i ditëve para zgjedhjeve ka nisur tanimë mbrapsht, ai del e flet për çdo çështje që ai mendon se është problem, për kandidatët e kundërshtarëve, etj etj, përveçse se për personat me të cilët do tentojë të marrë bashkitë që janë në garë.

E kemi dëgjuar të flasë dhe për temën e inceneratorëve. Edhe pse të gjitha kontratat ligjore janë bërë transparente, po ashtu edhe puna që bëhen në impiantet e 3 qarqeve është parë nga i gjithë publiku, Basha vijon ta përdorë këtë çështje si ‘tub oksigjeni’, si për të thënë që po bën opozitarin e po lufton korrupsionin në vend.

Në një kohë që ai ka lënë të besuarën e tij, Jorida Tabaku, të merret me Inceneratorët në Komision, po përpiqet t’i japë një dorë duke qenë se blofet e deputetes demokrate nuk kanë fund.

Pse nuk e shfrytëzon Basha këtë kohë për të bërë fushatë për kandidatët e tij në 6 bashkitë? Mos vallë e di apriori që do i humbë të gjitha? Sepse të paktën sondazhet këtë tregojnë, që do të ketë të njëjtin fat si në të gjitha zgjedhjet e bëra si kryetar i Opozitës.

E domosdoshmërisht për të shpëlarë trurin e njerëzve për humbjen e radhës, ai vazhdon me propagandën ndaj inceneratorëve.

Një shmangie të kësaj Basha, e bëri edhe në konferencën e sotme për shtyp. Kur u pyet nëse do të jepte dorëheqjen po të humbiste në zgjedhjet e “6 Marsit”, ai iu përgjigj gazetarit: “Mos të kesh asnjë merak ti se përgjegjësive të mia u kam qëndruar unë dhe u qëndroj. Këtë pyetje bëjani atyre që sulmojnë PD-në duke u përpjekur të largojnë vëmendjen nga këto denoncime që po bëjmë”

Nëse do të përmblidhnim edhe zgjedhjet e pjesshme lokale e bëra më parë në Korçë dhe Dibër, shifrat flasin qartë kundër Bashës. Bilanci i tij në drejtim të PD është humbja e thellë në 6 palë zgjedhje.

Në drejtimin e Lulzim Bashës, Partia Demokratike ka humbur zgjedhjet lokale të 2015, zgjedhjet parlamentare të 2017. Lideri i PD ka humbur edhe dy palë zgjedhje lokale në Korçë dhe Dibër, ndërsa i fali Ramës në tavolinë edhe të gjitha bashkitë e vendit, pasi braktisi zgjedhjet lokale të 2019.

Shpresa e fundit e tij ishin zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, të cilat praktikisht i dhanë edhe goditjen finale.

Duke refuzuar zërat kundër dhe duke anashkaluar bilancet dramatike në krye të PD, Basha vazhdon e flet për një beteja të reja për demokracinë, edhe pse nuk ka fituar asnjë betejë si lider opozite.

Pyetja që shtrohet është se me çfarë do të justifikohet kësaj radhe kryedemokrati? Çfarë argumentash do nxjerrë para demokratëve për humbjen e radhës? Këtë duhet ta ketë menduar mirë sepse shprehja “lufta sapo ka filluar” nuk do t’i pijë më ujë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT