Bjellorusia miraton propozimin për heqjen dorë nga statusi jo-bërthamor, mediat: 65% e qytetarëve votuan PRO

Bjellorusia pas referendumit të mbajtur ka miratuar një kushtetutë të re që heq dorë nga statusi jo-bërthamor i vendit.
Ky veprim teorikisht mund të lejojë Rusinë të vendosë armë bërthamore në tokën Bjelloruse për herë të parë që kur vendi hoqi dorë prej tyre pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Rezultati i referendumit do të hyjë në fuqi 10 ditë pas publikimit të tij zyrtar, njoftoi agjencia ruse e lajmeve RIA Novosti.
Dje udhëheqësi bjellorus Alexander Lukashenko tha “nëse ju [perëndimi] transferoni armë bërthamore në Poloni ose Lituani, në kufijtë tanë, atëherë unë do t’i drejtohem Putinit për t’i kthyer armët bërthamore që i dhashë pa asnjë kusht”.
Sipas RIA, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Bjellorusi, Igor Karpenko, tha se 65,16% e qytetarëve votuan për ndryshimet në kushtetutë në një referendum.
Kujtojmë që dje presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar komandën ushtarake të vendosë forcat e parandalimit bërthamor në “gadishmëri”.
Ky veprim rrit frikën në të gjithë Perëndimin se forcat ruse mund të përdorin armë bërthamore në konfliktin me Ukrainën.