Detajet/ Futet dhe reforma zgjedhore e territoriale, qëndrimet e Bashës në mbledhjen e grupit, para votimit të Vettingut

Në rendin e dites janë futur sot ngritja e komisionit të reformës zgjedhore dhe asaj teritoriale. Këto janë dy nismat që janë zbuluar nga kryedemokrati Lulzim Basha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, e nisur që nga ora 09:00.
Këto janë dy reforma themelore për rikthimin e demokracisë dhe votës së lirë si dhe rindarjen territoriale, mësohet të jetë shprehur kryedemokrati. PD dhe Basha kanë deklaruar prej kohësh se këto janë dy ndër prioritetet më të rëndësishme për vendin dhe opoziten.
“Sot nisim punën për dy reforma të rëndësishme dhe që janë prioritet për Shqiperine dhe demokracinë, prioritete për PD, reformen zgjedhore dhe atë territoriale. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë prioriteti ynë. Ne duhet të bëjmë gjithçka, të konsultohemi me ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj, në mënyrë që të ndërtojmë mekanizmat e duhur për të garantuar që vullneti i zgjedhësve të mos deformohet, si deri më sot, nga shitblerja e votës, bashkëpunimi me krimin dhe përdorimi administratës dhe fondeve publike. Prioritet i yni është reforma territoriale. Grupi i punës së bashku me deputetët do të nisin një tur konsultimesh në të gjithë vendin, për një ndarje të drejtë administrative, për të fuqizuar pushtetin vendor dhe për të ofruar shërbime publike me cilësi të mirë. PD ka qenë që prej ditës së parë mbështetëse e reformës në drejtësi”, mësohet të ketë deklaruar Basha në mbledhje.
Në këtë mënyrë Basha ka shprehur votën pro të PD, e cila duket se është realizuar me premtimin për realizimin e reformës zgjedhore dhe asaj terrioriale.
“Natyrisht ndërhyrjet e mazhorancës për ta vënë në shërbim të saj e kanë dëmtuar atë dhe pasojat po i shohim dhe sot. Pa një drejtësi të fortë, të pastër dhe të pavarur Shqipëria nuk do te këtë progres ekonomik dhe as në rrugën drejt integrimit”, tha Basha.
Negociatat e ndërkombëtarëve për të marrë votën pro të demokratëve për shtyrjen e mandatit të organeve të vettingut duket se kanë dhënë rezultat duke arritur në një marrëveshje mes demokratëve dhe socialistëve ku secila palë ka lëshuar dhe kë marrë diçka.