“Dje Luli babës vet, sot Lul Brava”/ Rama tallet keqas me Bashën dhe Berishën: Kush është dryni e kush brava

Kryeministri Edi Rama nuk ka nguruar të ironizojë “luftën e brendshme të PD-së” midis Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, gjatë prezantimit të pyetësorit për Këshillimin Kombëtar me qytetarët e Durrësit sot.

Duke thumbuar Bashën dhe Berishën, Rama u bën thirrje qytetarëve të votojnë kandidaten e PS Emirjana Sako për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.

“Deri dje ai ishte Luli babës vet, sot është Lul brava. Kaq mbaroi filmi. Që këtu ka mbaruar për mua. Të jesh në Durrës dhe të kesh mundësi të zgjedhësh midis tre vetave ku dy janë burra, patjetër që po t’i kesh mend në vend do zgjedhësh një grua. Për çfarë, që të dëgjosh nesër kush është dryni e kush është brava. Ata t’i zgjedhin vetë problemet e tyre, por me Durrësin s’kanë pse të ngatërrohen. Këtë ia them dhe atyre që nuk votojnë për mua. Këtu është një votë shumë e thjeshtë, dy burra që këtu a kanë qenë po të ishin aq të zot do kishin shkëlqyer, dhe një grua që ka pasur kohën ta tregojë që është një person që e meriton mbështetjen e qytetarëve të këtij qyteti se kur ra tërmeti shkoi shtëpi më shtëpi. Po punojmë për një projekt të madh për të gjithë pjesën e plazhit të Durrësit që të bëjmë një transformim të madh. Kemi filluar me rrugët nëpër lagje, ”, u shpreh Rama.

Zgjedhjet e 6 marsit do të zhvillohen në Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë. Ndonëse në shumicën e tyre, këto bashki ishin prej shumë kohësh, pa një kryetar të zgjedhur, presidenti Meta priti vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet e 30 qershorit 2019, për të dekretuar votimet e reja. Në zgjedhjet e 30 qershorit, opozita nuk mori pjesë, duke i bojkotuar ato. Ripërsëritja e tyre mund të jetë një mundësi e mirë që dhe ajo të ketë përfaqësuesit e saj në pushtetin vendor, të paktën në këto 6 bashki ku Shkodra, Durrësi por dhe Lushnja janë ndër më të mëdhatë e vendit.

Por edhe këtë herë ajo duket se do të hyjë e përçarë, për shkak të luftës së brendshme në Partinë Demokratike. Berisha dhe mbështetësit e tij, garojnë në zgjedhje me koalicionin “Shtëpia e Lirisë”. KQZ vendosi të regjistrojë në zgjedhjet e pjesshme koalicionin “Shtëpia e Lirisë”, të përbërë nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokristiane, duke rrëzuar nga kërkesa e tyre një pjesëtar të tretë të koalicionit, i renditur në dokument si Partia Demokratike – Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT