FAKSIMILE: Zgjerohet skandali, zyrtari i lartë i FSHF mori 740 mijë dollarë nga inceneratorët, është paguar “për konsulencë”

Arben Dervishaj, anëtari i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), rezulton të jetë i përfshirë në skandalin e pagesave të dyshimta në çështjen e inceneratorëve në Shqipëri.

Arben Dervishaj që njihet si një nga njerëzit më të afërt të Armand Dukës ka përfituar mbi 740 mijë dollarë për “konsulencë” për inceneratorët.

Paratë rezultojnë të jenë marrë në 4 vite të ndryshme, përmes 21 faturave nga 2018-2021, në shuma te ndryshme që variojnë nga 80 milionë lekë të vjetra deri në 313 milionë lekë të vjetra në vit.

Emri i tij doli në skenë në dëshminë që dha në Komisionin Hetimor për Inceneratorët, administratorja e koncesionit të Tiranës, Arjola Kodra.

Administratorja Kodra ka bërë të ditur se firma e “Integrated Energy BV SPV”, ka paguar për konsulencë edhe kompaninë “Ave Consulting” sh.p.k. Kjo kompani, sipas Arjola Kodrës, është supervizore e koncesionit.

– Kush është supervizor? “Shoqëria ‘Ave Consulting’ sh.p.k e zotit Arben Dervishaj”, iu përgjigj Kodra pyetjeve të kryetares së këtij Komisioni, Jorida Tabaku.

Arben Dervishaj është pjesë e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së prej dy mandatesh dhe njihet si një njeri i besuar i Presidentit të FSHF-së, Armando Duka.

 

Arben Dervishaj dhe pagat që ka marrë gjatë muajit prill

Po ashtu, pagesat nga “Integrated Energy” kanë vijuar edhe në vitin 2019 më dy fatura, ku rezulton se janë paguar nga Klodian Zoto për Arben Dervishajn rreth 80 milionë lekë.

Ndërkohë që, viti 2020 duket se ka qenë vit “intensiv” konsultimesh, pasi në adresë të “Ave Consulting” me pronar, anëtarin e Komitetit Ekzekutiv të FSHFsë janë paguar plot 8 fatura të majme nga Klodian Zoto.

Sipas regjistrit të Drejtorisë së Tatimeve, rezulton se konsultimet e Zotos në adresë të Drevishajt janë derdhur në vlerën e 313 milionë lekeve të vjetra.

Po ashtu, duket se vit i suksesshëm konsultash ka qenë dhe 2021 ku “Ave Consulting”, rezulton të ketë marrë dhe 6 faturat e majme nga inceneratori i Klodian Zotos. Rezulton se si “dorë të fundit” konsultimesh kompania e Arben Dervishajt ka marrë 218 milionë lekë të vjetra nga inceneratori i Zotos.

Sipas kalkulimeve, në total kompania e krahut të djathtë të Armand Dukës ka fituar nga inceneratori i Zotos plot 744 milionë lekë të vjetra, ose rreth 744 mijë USD.

j.l./ dita

Back to top button
LAJMET E FUNDIT