“Fëmijët s’do ta harrojnë, a keni zemër?”/ Rama – banorëve të “5 Majit”: Shteti ju mban me qira, ku ka ndodhur diçka e tillë?!

Kryeministri Edi Rama ka replikuar ditën e sotme në rrjetet sociale me banorë të lagjes “5 Maji” të cilët kundërshtojnë shembjen e banesave dhe shpronësimeve në zonë.
Në rrjetin social Facebook një banore i drejtohet kreut të qeverisë me fjalët: “Se di a keni zemër a logjikë”, duke shtuar se “do ngeleni në histori si njeriu që risolli diktaturën”.
Ndër të tjera banorja në komentin e saj thekson se “fëmijët tanë nuk do munden t’i harrojnë këto pamje”. Ndërkaq, kryeministri Rama i përgjigjet: “Në cilën diktaturë zonjë, shteti të jep shtëpi pasi të prish banesën pa leje dhe sa të të ndërtohet shtëpia të mban me qira, kur ka ndodhur diçka e tillë?!”.
Ndërkaq, një tjetër banor ironizon Ramën duke u shprehur: “Ju përgëzoj për punën e palodhur, duke tërhequr zvarrë e torturuar nënat dhe baballarët tanë”. Ndërkaq kryeministri ka hedhur poshtë akuzat.
Kujtojmë që sot ka patur shembje të tjera banesazh teksa banorët kanë shfaqur rezistencë ndaj aksioneve të IMT-së. Më herët ata kanë zhvilluar një protestë para Kryeministrisë dhe sot kanë paralajmëruar grevë urie./ Gazeta Shqip