Gent Sejko merr besimin e Parlamentit, zgjidhet për herë të dytë Guvernator i Bankës së Shqipërisë

Gent Sejko është zgjedhur për një mandat të dytë 7 vjeçar si Guvernator i Bankës së Shqipërisë.
Ai mori besimin e Parlamentit të Shqipërisë, ku 103 deputetë votuan pro, 1 kundër dhe një tjetër abstenoi. Sejko drejton Bankën e Shqipërisë që prej 5 shkurtit të vitit 2015, pasi zëvedësoi Ardian Fullanin, i cili u arrestua.
Në Komisionin e Ekonomisë të zhvilluar ditën e djeshme, Sejko prezantoi punën dhe prioritetet e tij në krye të institucionit më të rëndësishëm financiar në vend.
Sekjo prezantoi tre prioritetet e tij që lidhen me politikën dhe stabilitetin e çmimeve në vend, mbikqyrjen dhe rregullimin bankar në funksion të forcimit të mëtjeshëm të stabilitetit financiar të vendit dhe ulja e shkallës së formalitetit.
Tre prioritetet e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, për një mandat të dytë:
- Prioriteti i parë ka të bëj me politikën monetare dhe stabilitetin e çmimeve.
Si guvernator gjatë periudhës së shkuar jam kujdesur dhe do vazhdojë të kujdesem që sasia dhe kostoja e para në ekonomi të mundësojë stabilitetin e çmimeve, rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe përmirësimin e mirëqenies. Në kontekstin afatshkurtër sfida kryesore do jetë adresimi i presioneve inflacioniste që vijnë nga rritja e çmimeve në tregjet botërore.
Në gjykimin tim respektimi i mandatit ligjor të stabilitetit të çmimeve është një objektiv i panegociueshëm i bankës së Shqipërisë. Përmbushja me sukses i këtij mandati do të kërkojë hartimin e një politike monetare më të kujdesshme dhe largpamëse. Paralelisht me objektivin e saj primar, kjo politikë duhet të faktorizojë nevojën e mbështetjes së rimëkëmbjes ekonomike dhe të harmonizohet me procesin e konsolidimit fiskal në interes të rritjes së qëndrueshmërisë fiskale dhe financiare të vendit.
Në veçanti, bindja ime është se harmonizimi i kujdesshëm i politikave monetare dhe fiskale prodhon rezultate më të mira ekonomike, në terma të rritjes dhe të stabiliteti ekonomik e financiar të vendit.
- Prioriteti i dytë ka të bëjë me mbikqyrjen dhe rregullimin bankar në funksion të forcimit të mëtjeshëm të stabilitetit financiar të vendit.
Objektivi i punës time do të jetë krijimi i të gjithë premisave për nxitjen e kreditimit të shëndetshëm të ekonomisë. Në gjykimin tim oferta e kredisë bankare nuk duhet të jetë pengesë për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit. Por procesi i kreditimit duhet të respektojë parametrat e nevojshëm të kujdesit për ruajtjen e shëndetit të bankave dhe të vlerës së kursimeve të depozituara në sistemin bankar.
Adoptimi i plotë i të gjithë praktikave dhe standarteve relevante të Basel 2 dhe Basel 3.
Konvergimi i mëtejshëm me standartet europiane dhe marrja e certifikatave të mëtjeshme në fushën e mbikqyrjes nga Banka Qendrore Europiane. Këto certifikime do ulin kostot dhe do rrisin efiçencën e operimit të sistemit tonë bankar.
Riskanimi i plotë i sistemit tonë financiar, në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar, për të mundësuar identifikimin dhe korrektimin në kohë të dobësive të sistemit financiar.
Në veçanti mendoj se vëmendje duhet ushtruar:
Në aktivitetin e institucioneve financiare jo banka dhe konvergimin e standarteve dhe praktikave të tyre rregullatore me ato të sistemit bankar. Kjo do promovojë eficencën e sistemit financiar dhe konkurencën e ndershme, brenda dhe ndërmjet segmenteve të ndryshme të sistemit financiar.
Vënien në efiçencë të plotë të arkitekturës mbikqyrjes të sistemit tonë financiar duke filluar nga grupi këshillimor i stabilitetit financiar e duke vijuar me praktikat e shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit mes institucioneve të ndryshme rregullatore në vend.
Vijimin e punës për reduktimin e përdorimit të monedhës së huaj në vend. Duke synuar rritjen e ndërgjegjësimit të aktorëve publikë dhe privatë për rreziqet që ajo sjell dhe duke synuar forcimin e përgjigjes së institucioneve të tjera shqiptare.
- Prioriteti i tretë do jetë nxitja e formalizimit dhe rritja e edukimit dhe përfshirjes financiare.
Shkalla e lartë e informalitetit në ekonomi sjell pasoja serioze negativem, nëpërmjet cënimit të konkurencës, frenimit të produktivitetit, rritjes së pasigurisë dhe reduktimit të të ardhurave publike. Për këtë arsye Banka e Shqipërisë duhet të vijojë të punojë për formalizimin e ekonomisë.