Gjyqi për shkarkimin e Presidentit Meta në “Kushtetuese”, Dervishaj: Procesi i shkarkimit, hakmarrje

Përfaqësuesi ligjor i presidentit Ilir Meta, Bledar Dervishaj e ka konsideruar këtë proces shkarkimi të Metës nga Kuvendi si hakmarrje.
Teks sot ka nisur seanca e sotme në Gjykatën Kushtetuese, Dervishaj theksoi se ngritja e Komisionit Hetimor nga parlamenti në vitin 2019 konsiderohet shkelje pasi ka ushtruar aktivitetin në kohën e zgjedhjeve.
Ndër të tjera Dervishaj nënvizoi se pas djegies së mandateve nga opozita PD-LSI, grupet e reja parlamentare nuk përfaqësonin opozitën e vërtetë. Me këtë argument, Dervishaj nënvizon se procesi i shkarkimit të Metës është i paligjshëm.
“Edhe nëse një veprimtari hetimore ka nisur, në zbatim të ligjit për komisionet hetimore ka për detyrë ta ndërpresë atë sepse komisionet hetimore nuk mund të ngrihen dhe të funksionojnë në periudhë zgjedhjesh.
Përveç kësaj, kuvendi përmes këtij procesi hetimor ka tentuar të ndërhyjë në mënyrën sesi presidenti kërkon të ushtrojë kompetencat e tij. Gjë që tregon se kuvendi ka shkelur parimin e ndarjes së pushteteve edhe pse në mungesë të lëndës për të shkarkuar presidentin, përsëri janë shkelur të gjitha parimet e shtetit të së drejtës, si ai i paanësisë.
Që me zhvillimin e zgjedhjeve të 2017, OSBE vuri re blerje votash, vjedhje etj.
Në seancën e kaluar u morën shembuj të doktrinave kushtetuese të shteteve të ndryshme, por nuk i ngjajnë aspak asaj të shtetit shqiptar.
Pas shkurtit të vitit 2019 kur u tërhoq opozita, dhe kur nisi punë shkarkimi i presidentit, grupet parlamentare nuk përfaqësonin opozitën.
Këto dhe disa të tjera tregojnë që ky proces shkarkimi është bërë me qëllim hakmarrjeje.
Gjithashtu, kuvendi ka përçuar në publik mesazhin se sikur kuvendi qëndron mbi palët dhe duke marrë kompetencat e institucionit të Presidentit.
Kriza tjetër politike ishte zgjedhja e prokurorit të përgjithshëm të përkohshëm, i cili u zgjodh me 69 vota, në kundërshti të kushtetutës. Ky ishte shkaku i parë i thellimit të krizës politike.
Pra, me këto grupe parlamentare, nuk u përfaqësuan partitë opozitare legjitime dhe si pasojë edhe vendimi për shkarkimin e presidentit nuk ka vlerë”, deklaroi Dervishaj./ Gazeta Shqip