Ilir Meta në luftë me kohën, nis betejën e re me mazhorancën

Koha për Ilir Metën ka nisur numërimin mbrapsht. Gjykata Kushtetuese përtej zvarritjeve artificiale apo shëndetësore të anëtarëve përmbylli pas tre seancash shqyrtimin e çështjes për shkarkimin e presidentit, i akuzuar për shkelje të rëndë të Kushtetutës. Vetë Presidenca kërkoi 72 orë kohë për t’iu përgjigjur 72 pyetjeve, por që në seancën e fundit këshilltarët ligjorë refuzuan të lexonin përgjigjet, por t’i depozitonin në rrugë elektronike. Mbase një taktikë për të zgjatur sa më shumë shpalljen e vendimit final.

Më herët presidenti paditi në Kolegjin e Posaçëm anëtarët e Gjykatës Kushtetuese për vendimin për zgjedhjet lokale të qershorit 2019, si dhe shfaqi rezerva ndaj gjyqtarëve të caktuar, duke i cilësuar se i ka mbaruar mandati apo janë në konflikt. Në këtë betejë ai nuk kurseu as njerëzit që i kishte zgjedhur vetë në Gjykatën Kushtetuese.

Pas dëgjimit të palëve, Gjykata Kushtetuese ka 30 ditë kohë për t’u shprehur në mënyrë përfundimtare, nëse do t’i japë të drejtë Parlamentit, pra 104 deputetëve, për ta shkarkuar Metën nga posti i presidentit.

Një vendim i fortë që do jepet për herë të parë në historinë e demokracisë shqiptare për këto 30 vite të pluralizmit politik pas viteve ’90-të. Socialistët nga ana e tyre e cilësuan këtë proces si më i shëndetshmi në një demokraci. Taulant Balla, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, në një prononcim për mediat pas seancës rreth katërorëshe i bëri thirrje Metës, presidencës që të heshtin dhe të respektojnë vendimin që do të marrë Gjykata Kushtetuese, pasi sot procesi ishte një festë për demokracinë.

“Ashtu siç parashikohet në ligjin e organizimit dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, të gjithë kemi detyrimin të ruajmë një heshtje institucionale, derisa gjykata, brenda afatit 30 ditor, vendimi i shoqëruar me arsyetimin përkatës. I gjithë ky proces ka qenë shumë i mirë dhe i shëndetshëm kushtetues për cilësinë demokracisë në Shqipëri. Unë mendoj që çdo deklaratë e imja apo e palëve të përfshira në proces nuk do t’i bënte mirë çuarjes deri në fund të një procesi që unë e quaj “festë për demokracinë”, u shpreh Taulant Balla.

Përballë qetësisë olimpike në dukje të socialistëve, Presidenti u shfaq më i tensionuar qoftë vetë personalisht, apo qoftë me stafin e tij. Për ti paraprirë ndonjë vendimi të hidhur nga Kushtetuesja, Meta me stafin e tij të këshilltarëve ligjore po përgatisin betejën e re, atë padisë në prokurori ndaj Parlamentit që e shkarkoi, duke e akuzuar për manipulim të dokumenteve dhe provave shkencore.

“Seanca plenare është caktuar në më pak se 24 orë kohë, ndërkohë që detyrimi ligjor është 48 orë. Në rendin e ditës nuk kanë qenë të përfshirë dy akte, por vetëm një akt, një shkelje tjetër kjo më shumë e Kuvendit të Shqipërisë, e diktuar mes vullnetit politik për të ngritur një komision hetimor. Në seancën e orës 10 kemi kundërshtuar një provë të depozituar më 4 shkurt nga Kuvendi. Gjatë shqyrtimit të këtyre provave, na rezulton një ndërhyrje, apo manipulim prove. Dokumenti mban datën 5/5/2021, për mbledhje në seancë plenare më atë 7/5/2021. Ndërkohë që ky urdhër mban datën 6/5 dhe 5/5”, tha këshilltari ligjor, Bledar Dervishaj.

Pikërisht kjo “arma” e re është edhe pikënisja e betejës së Metës me Parlamentin, më saktë me socialistët. Menjëherë pas përfundimit të përballjes në Gjykatën Kushtetuese, presidenti postoi një foto me dy këshilltarët e tij ligjore, për t’i falënderuar mbi avokatinë dhe natyrshëm besnikërinë ndaj presidentit dhe për atë që ai e cilësoi si skandal i mazhorancës.

“Sapo falënderova Bledin dhe Katrin, për përfaqësimin me dinjitet dhe profesionalizëm të Institucionit të Presidentit të Republikës i kërkova të përgatisin menjëherë padinë për falsifikimin e provave nga Kuvendi, të depozituar në Gjykatën Kushtetuese pa asnjë lloj kërkese. Ky skandal shumë i rëndë, duhet të marrë menjëherë përgjigje ligjore! Takohemi shumë shpejt në një komunikim me mediat!”, shkruan Meta në një postim më të fundit në rrjetet sociale.

Deri në shpalljen e vendimit, Meta pritet të rrisë tonet dhe të kontestojë procedurat e ndjekura nga Parlamenti, duke shpresuar që kjo zhurmë të ngjisë në mendjet e shqiptarëve, pse jo edhe ndonjë anëtari të lëkundur në Gjykatën Kushtetuese, apo të ketë alibinë e tij para verdiktit final!/ Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT