Këshilli i Evropës i pezullon përfaqësimin, Rusia përjashtohet dhe nga Eurovision 2022

Këshilli i Evropës miratoi një mocion të premten për të pezulluar të drejtat e përfaqësimit të Rusisë në institucion, i cili u formua pas Luftës së Dytë Botërore për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit në të gjithë kontinentin.

“Vendimi i miratuar sot do të thotë se Federata Ruse mbetet anëtare e Këshillit të Evropës dhe palë në konventat përkatëse të Këshillit të Evropës, duke përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut,” tha organizata në një deklaratë.

Ministri i Jashtëm italian Luigi Di Maio e përshëndeti masën, duke thënë se vendi i tij “e konsideron këtë si një masë të nevojshme në dritën e agresionit ushtarak të papranueshëm të Rusisë kundër Ukrainës, i cili përbën një shkelje serioze të së drejtës ndërkombëtare”.

Vendimi vjen pas sulmit masiv ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, për të cilin Kremlini tha se ishte nisur në mbështetje të liderëve separatistë që i bënë thirrje Moskës për mbështetje.

Sakaq Rusia nuk do të performojë më në Eurovision Song Contest 2022, ka njoftuar Unioni Evropian i Transmetuesve. Të enjten (24 shkurt), organizatorët e konkursit vjetor njoftuan se nuk kishin plane të pengonin Rusinë të merrte pjesë, pavarësisht nga nxitja nga transmetuesi publik i Ukrainës për pushtimin e vazhdueshëm të tyre.

“Mbetemi të përkushtuar për të mbrojtur vlerat e një kompeticioni kulturor që promovon marrëdhëniet dhe mirëkuptimin ndërkombëtar”, thuhet në një deklaratë të organizatorëve.
“Pjesëmarrja e Rusisë në garën e këtij viti do të diskreditonte kompeticionin, për shkak të krizës në Ukrainë”.
Më herët UEFA vendosi të anulojë zhvillimin e finales së Champions League nga Shën Pjetërburgu dhe ta spostojë në Paris, si përgjigje për sulmin e Rusisë kundër Ukrainës.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT