Kryeministri australian: Rusia do e pushtojë Ukrainën brenda 24 orëve

Duke njoftuar se do të vendosë sanksione ndaj Rusisë, kryeministri i Australisë Scott Morrison ka zbuluar se pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka të ngjarë të ndodhë brenda 24 orëve.
“Pushtimi i Ukrainës tashmë ka filluar. Ky pushtim është i pajustifikuar dhe i papranueshëm. Rusia është në gatishmërinë maksimale për të ndërmarrë tani një pushtim të plotë të Ukrainës, dhe kjo ka të ngjarë të ndodhë brenda 24 orëve të ardhshme”-tha kryeministri australian.
Kujtojmë se edhe SHBA ka lëshuar një paralajmërim për qeverinë ukrainase se nga raportimet e fundit të Inteligjencës Rusia do të nisë menjëherë një pushtim në shkallë të plotë. Vlerësimi i inteligjencës amerikane vjen pasi liderët perëndimirë po paralajmërojnë për një sulm të afërt dhe thonë se trupat ruse kanë hyrë në rajonet separatiste të Ukrainës Lindore, Donetsk dhe Luhansk, të cilët Rusia i njohu si të pavarura ditën e hënë të kësaj jave.